Pacolli të hetohet
Një javë pas shpërthimit të skandalit me hotelin Grand, Qeveria vazhdon të mos deklarohet në lidhje me përfshirjen e Zëvendëskryeministrit të Parë, Behgjet Pacolli.
Përpos se ende nuk ka një vendim nëse Pacolli do të “lirohet” nga posti qeveritar për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar, në Qeveri hezitojnë të flasin për rastin konkret Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe zyrtar i lartë i PDK’së, thotë se nuk i komenton rastet specifike të drejtësisë.
“Këto janë çështje të drejtësisë dhe unë s’i komentoj”, ka thënë Kuçi kur është pyetur se cili është qëndrimi i Kryeministrit dhe Qeverisë për aferën e Pacollit me Grandin.
Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës nuk është distancuar nga veprimet e Pacollit, i cili është i përfshirë në aferën e privatizimit të hotelit Grand. Zëvendëskryeministri i Parë kishte thënë se ish-zyrtari i kësaj Qeverie, Astrit Haraqija i kishte kërkuar miliona euro në këmbim të rregullimit të pronësisë së hotelit Grand. Më vonë kishte dalë se Pacolli kishte shkelur ligjin, pasi nuk e kishte denoncuar me kohë Haraqinë për kërkim të ryshfetit.
Në krejt këtë situatë, Qeveria dhe Kryeministri nuk kanë dalë as në mbrojtje të Liderit të AKR’së, i cili ka thënë se nuk do të largohet vetë nga Qeveria.
Hajredin Kuçi ka pohuar se Qeveria e Kosovës u jep mbështetje të plotë vetëm organeve të drejtësisë për të hetuar secilin rast ku ka dyshime për veprime të jashtëligjshme.
“Dëshiroj të theksoj se Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë organeve të drejtësisë”, ka thënë Kuçi.
Kuçi, i cili mban edhe postin e Ministrit të Drejtësisë, ka thënë se drejtësia duhet të veprojë në mënyrë profesionale dhe të pavarur, pavarësisht deklaratave të politikanëve.
“Unë po të them se i japim mbështetje rendit e ligjit dhe ftojmë drejtësinë që në mënyrë të pavarur, profesionale, të paanshme ta kryejë punën e vet. Këtu nuk është në pyetje a kërkon apo nuk kërkon, kjo është procedurë ligjore dhe fjalët tjera janë vetëm sa me thanë për debat politik. Por, ne kërkojmë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale secili rast të trajtohet”, ka thënë Kuçi.
Ndryshe një ditë më parë, Nënkryetari i PDK’së, Fatmir Limaj kërkoi që Qeveria të deklarohet për skandalin e Grandit dhe të dihet qëndrimi i Kryeministrit në lidhje më përfshirjen e Zëvendëskryeministrit Pacolli në aferat e privatizimit.
Kuçi ka thënë se nuk e ka dëgjuar kërkesën e Limajt, por ka përsëritur se Qeveria i jep mbështetje drejtësisë.
“S’e kam dëgjuar atë deklaratë, por unë po them se i japim mbështetje të plotë rendit dhe ligjit”, është përgjigjur Kuçi.
Kuçi ka komentuar edhe deklaratat e Liderit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ditë më parë tha se lufta kundër korrupsionit po përdoret nga pozita për ta luftuar opozitën. Shkas për këtë, Mustafa kishte marrë arrestimin e zyrtarit të Komunës së Prishtinës, Sami Hamitit, i dyshuar për korrupsion.
Por, Ministri i Drejtësisë ka thënë se as pozita e as opozita nuk duhet të përfshihen në vlerësime për rastet e drejtësisë.
”Ligji nuk shkruan se a duhet me qenë në pozitë apo në opozitë, ligji thotë secili qytetar është i barabartë dhe secili duhet të përgjigjet për veprimet e veta. Vetëm gjykata e vërteton a ka një person përgjegjësi a jo”, ka thënë ai.
Sipas tij, drejtësia ndihmohet vetëm duke ua lënë organeve kompetente të veprojnë me duar të lira sipas ligjit.
“Mendoj se deklaratat duhet të jenë që të gjithë ne ta ndihmojmë drejtësinë, që drejtësia ta thotë fjalën e vet. Në këtë drejtim, drejtësia është organi i vetëm që mund ta thotë fjalën e fundit se a ka dikush faj a jo. Drejtimet tjera politike nuk i ndihmojnë drejtësisë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që ta ruajmë autoritetin e drejtësisë”, ka thënë ai.
Qëndrimi i Limajt si i PDK’së ?
Nënkryetari i PDK’së, Fatmir Limaj ka kërkuar publikisht nga Lideri i Partisë, Hashim Thaçi, të zbatojë me përpikëri marrëveshjen PDK-LDK-AKR për sa i përket zgjedhjes së Presidentes Jahjaga.
Ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjes është obligim që e ka marrë Thaçi para organeve të partisë, ndonëse nuk i kishte pyetur ato fare.
Këto deklarata, Hajredin Kuçi ka thënë se janë në të njëjtën vijë me qëndrimin zyrtar të PDK’së.
“Këtë qëndrim e ka pasur edhe PDK’ja dhe nuk ka dallim prej qëndrimit të partisë. Ne nuk kemi asnjë dilemë që nuk e zbatojmë, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese është obligativ”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, PDK nuk do të hyjë në kategori morale për largimin e Jahjagës.
“Kjo është kategori morale (dorëheqja) dhe ne nuk hyjmë në një trajtim të tillë. Një parti serioze nuk merret me trajtimin se a jep dikush dorëheqje apo nuk jep, por merret me fakte dhe me real-politikën”.