E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarë sulmuan bazën e militantëve islamik në Bengazi

Pak ditë më parë ishin militantët islamikë që sulmuan selinë e konsullatës amerikane në Bengazi, qyteti i dytë më i madh në Libi. Por tani janë qytetarët e thjeshtë që janë ngritur në protesta kundër Al Qaedas.

Qindra protestues kanë sulmuar një bazë të xhihadistëve, të cilët mendohet se janë përgjegjëse për vrasjen e ambasadorit amerikan, Chris Stevens.

Kjo është një lëvizje e paprecedent e qytetarëve që ngrihen kundër milicisë terroriste, të njohur edhe me emrin brigada Ansar al- Sharia.

BBC bën me dije se katër persona janë vrarë gjatë këtij incidenti.

Mësohet se qytetarët pro- amerikanë rrethuan bazën islamike, ndërsa terroristët tentuan të shpërndajnë turmën duke qëlluar fillimisht në ajër. Më pas ata u arratisën.

Megjithatë përplasja solli viktima.

“Nuk dua të shoh njerëz të armatosur, të veshur si afganë, që më ndalojnë mua në rrugë e më japin urdhra. Dua të shoh thjesht njerëz me uniformë,” tha Omar Muhamed, një student që mori pjesë në protestë.

Shumë libianë kanë shprehur zemërim pas sulmit mbi konsullatën amerikane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›