E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urat e Dacic

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, dha sinjale pozitive rreth bashkëpunimit rajonal gjatë një fjalimi në Beograd. Ai tha se Serbia do të ndërtojë ura bashkëpunimi me vendet e rajonit, përfshirë edhe “institucionet e Prishtinës”. Ambasadori i ri amerikan në Beograd, Michael Kirby tha se Beogradi duhet të bëjë hapa të vështirë në dialogun me Kosovën.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, është shfaqur i disponuar të premten në Beograd. Ai ka premtuar se vendi i tij do të jetë bashkëpunues me vendet në rajon.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë do të vazhdojë të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet dhe do të ndërtojë ura të reja me të gjitha vendet në rajon, edhe me institucionet e përkohshme në Prishtinë.

Këto deklarata Dacic i ka bërë në Forumin e Sigurisë në Beogradit, ku ka thënë se

se çështja e Kosovës ka potencialin më të madh për destabilizimin e Serbisë duke theksuar se qëndrimi i vendit të tij është i qartë rreth kësaj çështjeje dhe se bazohet në Rezolutën 1244 dhe në rendin kushtetues të Serbisë.

Dacic ka thënë se bisedimet me Prishtinën do të vazhdojnë me synimin që të gjendet një zgjidhje për qytetarët që jetojnë atje.

Ai ka theksuar se prania ushtarake dhe civile në Kosovë është garanci për paqen.

“Njohja e Kosovës dhe Metohisë nga disa shtete në rajon ka kontribuar në komplikimin e politikës së jashtme dhe largimin nga dialogu”, ka thënë Dacic.

Ai po ashtu ka potencuar se në të gjitha rastet e krimeve të luftës duhet të gjendet e vërteta.

“Të gjitha viktimat e Ballkanit kërkojnë që të dënohen kriminelët, këtë e kërkojnë edhe viktimat serbe”, ka thënë ai.

Me këtë rast ai ka përmendur edhe çështjen e hetimeve për trafikim organesh.

Dacic ka thënë se Europa Juglindore është një hapësirë e madhe gjeostrategjike dhe të gjithë kemi përgjegjësi që ta bëjmë më të sigurt”, ka thënë ai.

Kryeministri ka folur për bashkëpunimin rajonal duke thënë Kroacia për shkak të anëtarësimit në BE nuk po interesohet më për rajonin, pasi, sipas tij, ende nuk ka një marrëveshje që ua mundëson qytetarëve të Serbisë dhe Kroacisë që t’i kalojnë kufijtë me letërnjoftime.

“Për dallim nga Europa moderne, e cila për më pak se 10 vjet nga Lufta e Dytë Botërore filloi të ndërtojë institucione të përbashkëta , ne në Ballkan ende jetojmë në të kaluarën. Kjo është një shenjë se ne nuk e respektojmë veten. Në vend se të punojmë në ndërtimin e një këshilli të përbashkët ballkanik, ne po shkojmë në drejtim që është në kundërshtim me atë që bëjnë qytetarët e rëndomtë në Ballkan”.

Ambasadori i ri i SHBA’ve në Serbi, Michael Kirby, i cili po ashtu ka marrë pjesë në këtë forum, ka vlerësuar se Serbia duhet të bëjë hapa të vështirë në dialogun me Prishtinën, por është shfaqur optimist se një gjë e tillë do të ndodhë dhe se synimi i përbashkët do të arrihet.

Kirby ka thënë se duke punuar në shumë vende të Europës si diplomat, ka ardhur në përfundim se anëtarësimi në këtë organizatë ofron gjëra të mirë për vendet anëtare si dhe ka thënë se është optimist që Serbia do ta marrë një ditë këtë ndihmë.

Zëvndëkryeministri serb, i cili është edhe Ministër i Mbrojtjes, Aleksandar Vucic, ka lëvduar KFOR’in për sigurimin e paqes në Kosovë, por ka kritikuar këtë mision ushtarak për faktin që po e trajnon Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›