Përmet, vazhdon ndërtimi i kishës në rrënojat e pallatit të Kulturës
Përmet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2004, ku thuhet se objekti i Pallatit të Kulturës i kalon në pronësi Bashkisë së Përmetit është shkelur, pasi në këtë objekt po ndërhyhet që të bëhet kisha ortodokse e këtij qyteti. Hedhja e shtyllave të betonit tregon më së miri se punimet aty kanë vazhduar dhe se nuk janë ndërprerë, edhe pse ky vendim daton shtatë vjet më parë. Duke shfrytëzuar amullinë aktuale politike, krerët e kishës ortodokse të Përmetit, mes të cilëve prifti i lidhur me skandalin e zhvarrimeve në Kosinë, Vasil Thomollari, kanë sfiduar në këtë mënyrë vendimin e drejtësisë shqiptare.
Denoncimi i Aleancës
Pak ditë më parë, Aleanca Kuq e Zi ka akuzuar Kishën Ortodokse shqiptare të Përmetit se është duke kryer fshehtas punime brenda Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, me qëllim shembjen ose ndërtimin brenda tij të një kishe. Sipas përfaqësuesve të kësaj lëvizje, gërmimet bëhen natën, ndërsa është zgjedhur pikërisht koha e fushatës zgjedhore kur vëmendja e vendorëve është e pakët. Pallati i Kulturës në Përmet, që prej vitit ‘97 ka qenë mollë sherri mes përfaqësuesve të Kishës Ortodokse dhe Bashkisë së qytetit, ndërsa me vendim të Gjykatës Kushtetuese u vendos që pallati t’i shërbente kulturës së këtij qyteti.
Prononcimi i kryebashkiakut
Ndërkohë Edmond Komino, në një prononcim për gazetën “Mapo”, ka sqaruar se që prej vitit 2003, edhe pse mes rrënojave, në vendin ku më parë ka qenë Pallati i Kulturës janë mbajtur mesha. Sipas kryetarit në detyrë të Bashkisë së Përmetit, Edmond Komino, ky objekt ka qenë i amortizuar dhe aktualisht ai nuk është funksional. Ai e ka pranuar faktin se për të ka pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka sqaruar nëse aty bëhen punime apo jo. “Në fakt ka pasur një vendim të gjykatës të vitit 1996, kur Pallati i Kulturës i është dhënë kishës ortodokse, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2004 i ka kthyer këtë objekt bashkisë. Pra zyrtarisht ky objekt i përket Bashkisë së Përmetit. Por aktualisht, ne jemi përpara një situate të tillë, që duhet të jetë përmbarimi që duhet të ndërhyjë për të zgjidhur këtë përplasje mes bashkisë dhe kishës, pasi ne nuk mund të ndërhyjmë me dhunë. Duhet të jetë përmbarimi, ai që duhet të ekzekutojë vendimin e Kushtetueses. Sipas kërkesave që ne kemi çuar në zyrat e përmbarimit, asnjëherë nuk na është kthyer një përgjigje, madje kemi mësuar se ka pasur raste kur përmbaruesit janë dorëhequr duke mos pranuar këtë ekzekutim. Një nga veprimet e mëtejshme që do të bëjmë është një denoncim për përmbarimin për mosveprim”, ka sqaruar ai.
Ndërtimi i Pallatit të Kulturës
I vetmi në qytetin e Përmetit, Pallati i Kulturës u ngrit tërësisht nga themelet nga shteti në zbatim të Vendimit nr. 69 datë 11.08.1960 të ish Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Përmet, në kuadrin e vënies në jetë të planit urbanistik të qytetit të Përmetit, duke zënë vetëm 25 m2 ose 4.28 % të truallit të ish Kishës Shën Mëria e Pazarit dhe u përurua më 28 nëntor 1962. Vite më vonë, më 1997, lindi konflikti midis Qendrës Kulturore të Bashkisë dhe Kishës Orthodhokse, përsa i përket pronësisë së Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. U kërkua nga të dy palët zgjidhja e këtij konflikti nga organet e drejtësisë dhe, të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Shkallës Parë Gjirokastër me Vendimin nr. 484 datë 10 korrik 2001, Gjykata e Apelit Gjirokastër me Vendimin nr.122 datë 21 mars 2002, Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 1640 datë 14 tetor 2003 dhe Gjykata Kushtetuese me Vendimin Nr. 66 datë 5 maj 2004, vendosën vazhdimin e mëtejshëm të mbijetesës së Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, aty ku ai u ngrit nga themelet nga shteti në zemër të qytetit të Përmetit, sipas projektit të hartuar nga arkitektja Vasilika Cicko dhe inxhinieri konstruktor Rexhep Faja.