E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paditin EULEX-in

 EULEX- i ka anuluar tenderin për furnizim me derivate e vajra, edhe pse në garë ka pasur kompani të përgjegjshme, që i kanë plotësuar të gjitha kriteret e parapara me dosjen e tenderit.Pronarë të kompanive që kanë qenë në garë akuzojnë EULEX-in për parregullsi në rastin e anulimit të tenderit. Madje disa nga ta kanë paralajmëruar edhe padi kundër Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, pasi që, sipas tyre, vendimi për anulim ka qenë i jashtëligjshëm.
Zurij Osmani, drejtor i kompanisë “Bis Oil Team”, thotë se anulimi i tenderit nga EULEX-i është jo i drejtë dhe i dëmshëm, pasi që, sipas tij, kompania “Bis Oil Team”, i ka plotësuar të gjitha kushtet e tenderit.

“Ky vendim na dëmton neve më së shumti si kompani, pasi që oferta jonë ka qenë më e lira, e në bazë të saj ne ishte dashur të jemi fitues të tenderit. Për këtë vendim të pabazë, zyrat tona ligjore vendore e ndërkombëtare janë në përgatitje të ankesës. EULEX-i duhet të anulojë vendimin për anulim të tenderit, pasi që si i tillë është pa bazë ligjore”, tha ai.

Osmani thotë se me këtë vendim të anulimit të tenderit në momentin kur kompania që drejton ai është teknikisht në rregull me ofertë më të lirë, EULEX-i, sipas tij, kërkon me çdo kush që kontraktor aktual të jetë kontraktori i tyre.“Nëse EULEX-i nuk e anulon vendimin, ne do të paraqesim aktpadi penale ndaj këtyre”, tha ai.

Edhe Shkelzen Jusaj, pronar i “Petrol Company”, ka thënë se kohë më parë pas hapjes së ofertave, EULEX-i atij i ka kërkuar dokumente shtesë, që për atë kanë qenë të palogjikshme.

Sipas tij, EULEX-i atij i ka kërkuar që hapësira ku gjendet pompa e derivateve duhet të jetë 5000 metra katrorë, ndërkaq kompania që e drejton ai e ka pasur vetëm 4000.

Por, tash pas anulimit të tenderi, pronari i “Petrol Company” dyshon se tenderi në fjalë po përgatitet për kompani të caktuar.
“Unë edhe më tutje s’po mund ta kuptoj cila ka qenë arsyeja e anulimit, pasi që në garë për këtë tender ka pasur kompani të cilat i kanë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me kontratë. Po ashtu edhe çmimi që ne si kompani e kemi ofruar ka qenë shumë më i volitshëm për EULEX-in”, tha ai për “Zërin”.

Jusaj tha se për kriteret e vendosura kohë më parë ka bërë një ankesë në EULEX, por ai tha se tash e ka në plan të bëjë edhe një ankesë rreth mënyrës së çuditshme të anulimit të tenderit milionësh.Edhe Ibrahim Bucaliu, pronar i kompanisë “Hib Petrol” nuk e ka idenë pse është anuluar tenderi për furnizim me derivate nga misioni ndërkombëtar i sundimit të ligjit - EULEX.

“Sipas informatave që unë kam tenderi në fjalë është anuluar me urdhër nga Brukseli. Pas anulimit, EULEX-i ia ka vazhduar kompanisë sime kontratën për furnizim edhe për gjashtë muaj”, tha ai.

Ofertat e kompanive

Sipas burimeve të “Zërit”, në këtë tender kanë konkurruar tri kompani kosovare.

Kompania “Hib Petrol” në konsorcium me kompaninë “Ballkan Petrol” në total ka ofertuar me 31 mijë e 99 euro, pa përfshirë këtu edhe çmimin e blerjes së derivateve dhe uljeve. Kompania “Bis Oil Team” në konsorcium me kompaninë “Ex FIS” ka konkurruar në total me 1 milionë e 872 mijë euro, dhe kompania “Petrol Company” ka ofertuar me 60 mijë e 125 euro, pa përfshirë këtu edhe çmimin e blerjes së derivateve dhe uljeve./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›