E Diel, 1 Nëntor 2026

Paga bazë minimale që nga 1 korriku do të jetë 20 mijë lekë

21/07/2011  Vendimi i qeverisë, do të paguhen dhe orët jashtë orarit, pagesa shkon 30 mijë lekë

Që prej datës 1 korrik paga minimale referuese në Shqipëri do të jetë 20 mijë lekë të reja. Këshilli i Ministrave ka vendosur dje rritjen e nivelit minimal të të pagave nga 19 mijë lekë që ishte deri tani në 20 mijë lekë. “Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 20000 (njëzet mijë) lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë”, - thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht në 50 për qind mbi pagën bazë. Kështu, duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkojnë mesatarisht në rreth 30 000 lekë në muaj.

Rritjet

Që prej marrjes së qeverisë nga ana e qeverisë Berisha është bërë e mundur një rritje progresive e pagës minimale. Në vitin 2005 paga minimale në vendin tonë ishte 12 mijë lekë në muaj, më pas ndryshoi në 14 mijë lekë, në 17 mijë lekë, në 19 mijë lekë vitin e shkuar dhe tanimë 20 mijë lekë në muaj. Duhet theksuar se vendimi i qeverisë është i detyrueshëm për t’u zbatuar jo vetëm nga administrate shtetërore, por dhe nga bizneset, që nuk mund të deklarojnë pagë nën masën 20 mijë lekë, ashtu siç është paraqitur dhe në vendim. Nga ky vendim pritet të përfitojnë më së shumti kategoritë e niveleve të ulëta të administratës, si dezhurnet, punëtorët e mirëmbajtjes, shoferët e institucioneve etj. Ndërkohë është sanksionuar dhe paga që jepet për orët jashtë orarit, e cila është 115 lekë për orë. E thënë më thjeshtë, në rast se për nevoja të institucionit punonjësi do të detyrohet të punojë, fjala vjen 4 orë më shumë, do të paguhet me rreth 460 lekë më shumë. Bëhet fjalë gjithmonë për ata persona që paguhen me pagë minimale.

Kontributet

Por me hyrjen në fuqi të këtij ligji do të shtohet dhe masa e pagesës së kontributeve shoqërore si nga ana e punëmarrësit, ashtu dhe nga ana e punëdhënësit. Nga ana tjetër, një rritje e lehtë do të bëhet dhe për sigurimet shëndetësore. Por duhet theksuar se për 1 mijë lekë sa është dhe rritja e pagës kjo rritje pritet të jetë e papërfillshme, megjithëse do të shtohet në llogarinë e përgjithshme të pagës. Pavarësisht kësaj, rritja e pagës minimale ndikon më shumë te bizneset, që do të jenë të detyruar të mos paguajnë punëtorë nën 20 mijë lekë të reja në muaj, por do të jenë të detyruar nga ana tjetër të deklarojnë dhe pagë në raport me këtë shumë, pavarësisht se në shumë raste paga që deklarohet në banka me pagën që marrin realisht të punësuarit në privat ndryshojnë shumë dhe kjo për faktin e shmangies së detyrimeve për pagesat e kontributeve. Në shumicën e rasteve bizneset deklarojnë pagën minimale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›