E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja e konfliktit për kompensim

21/07/2011  AKKP: Palët t’i drejtohen gjykatës për zgjidhje në lidhje me pjesën e mbivendosur të pasurisë

Konfliktet për kompensimin me pjesëmarrje në privatizimin e shoqërive shtetërore

Për të zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me mbivendosjet për pasuritë që janë paraqitur për kompensim financiar, palët duhet t’i drejtohen gjykatës. Vetëm kjo e fundit mund të marrë një vendim, të cilin do ta zbatojë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas planveprimit të miratuar pak muaj më parë nga qeveria në lidhje me zgjidhjen e çështjes së pronësisë në Shqipëri, kjo është rruga që do të ndiqet edhe për konfliktet në lidhje me kompensimin me pjesëmarrje në privatizimin e aksioneve të shoqërive shtetërore.

Zgjidhja e konflikteve

Çështjet e pronësisë kanë shënuar shpesh konflikte, të cilat vijojnë të mbeten të pazgjidhura prej vitesh. Planveprimi i qeverisë ka parashikuar një procedurë, sipas të cilës palët në konflikt duhet patjetër t’i drejtohen gjykatës. Deri në marrjen e një vendimi nga gjykata çështja pezullohet në AKKP. “Në rastet kur ka përplasje mes subjektesh për kompensim mbi të njëjtën pasuri, ata duhet t’i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e konfliktit se kujt i takon e drejta e kompensimit për pjesën e mbivendosur të pasurisë brenda afatit prekluziv 1-mujor (njëmujor) nga koha e njoftimit nga AKKP-ja për një mbivendosje të tillë. Në të kundërt të gjitha subjektet në fjalë humbin të drejtën për kompensim për pjesën e mbivendosur”, - theksohet në pikën 11 të planveprimit. Në këtë moment AKKP-ja pezullon ex lege, derisa çështja zgjidhet përfundimisht në rrugë gjyqësore, ushtrimin e së drejtës për kompensim. AKKP-së i njoftohet vendimi gjyqësor përkatës, pasi të jetë marrë nga palët e interesuara. “Me zgjidhjen përfundimtare të çështjes, subjekti gjyqfitues përfiton kompensimin sipas kritereve të këtij ligji në radhën e ardhshme të kompensimit, kurse çdo subjekt tjetër pjesëmarrës në atë gjykim humb të drejtën për kompensim për atë pasuri”, - thekson planveprimi.

Kompensimi financiar

Që prej vitit 2005 AKKP-ja ka filluar aplikimin e kompensimit në të holla ndaj subjekteve të shpronësuara. Vlera e kompensimit financiar përcaktohet nëpërmjet hartës së vlerës së tokës në nivel fshati, komune, bashkie dhe qarku, hartë e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave. Harta e vlerës së tokës përditësohet sipas çmimeve të tregut. Fondi për kompensimin në të holla në vitin 2005 ishte 200 milionё lekë dhe u shpërnda i gjithi vetëm në Tiranë, pasi në atë kohë harta e vlerës së tokës ishte përfunduar vetëm për këtë qark. Në vitin 2006 fondi ishte 300 milionë lekë dhe u shpërnda në Tiranë dhe Kavajë. Në vitin 2007 fondi ishte 500 milionë lekë dhe shpërndarja e tij u shtri edhe për qarqet Berat, Korçë, Dibër, Kukës dhe qytetin e Vlorës. Duke filluar nga viti 2008, fondi ishte 500 milionë lekë dhe për herë të parë u shpërnda në të 12 (dymbëdhjetë) qarqet e vendit. Në vitin 2009 fondi për kompensim kapi shifrën rekord prej 1,25 miliard lekë. Në këtë vit për herë të parë fondit të vënë në dispozicion nga qeveria iu bashkua edhe një fond tjetër i krijuar nga të ardhurat nga privatizimet strategjike. Fondi i kompensimit pёr vitet 2010 dhe 2011 është 1 (një) miliard lekë. Në vitin 2011, për herë të parë fondit të vënë në dispozicion nga qeveria iu bashkua edhe një fond tjetër i krijuar nga të ardhurat e vetë AKKP-së gjatë tjetërsimit të sipërfaqeve shtetërore për llogari të fondit të kompensimit financiar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›