E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat, buxheti për tre vitet e ardhshme

Në vitin 2010 pritet një rritje më e moderuar. Fondi, 195 milionë USD në tre vitet e ardhshme


Pagat e buxhetorëve parashikohet të rriten sërish në 2010-2012. Rritje më të lartë në vitin zgjedhor

TIRANE- Qeveria ka parashikuar të rrisë edhe për tre vitet e ardhshme pagat e rreth 104 mijë buxhetorëve. Në buxhetin e saj afatmesëm, është miratuar një zë i veçantë, i cili parashikohet të shkojë për rritjen e pagave. Gjatë viteve 2010-2012, zëri "Politikat e reja pagash", arrin në rreth 195 milionë dollarë në total. Për vitin e ardhshëm, rritja e pagave do të jetë e moderuar në krahasim me vitin aktual. Gjatë 2010-ës është parashikuar një fond prej 3 miliardë lekës, ose rreth 31 milionë dollarë për rritjen e pagave të administratës publike në vend, ndërkohë që buxheti total për pagat pritet të jetë rreth 55.4 miliardë lekë.

Por vitet në vijim, të cilat përkojnë me zgjedhjet lokale dhe afrimin e atyre të përgjithshme pritet të shoqërohen me një rritje të konsiderueshme në buxhetin e pagave. Kështu për vitin 2011, kur pritet të mbahen edhe zgjedhjet lokale, fondi për politikë të re pagash do të jetë rreth 8.4 miliardë lekë, ose rreth 5.4 miliardë lekë më shumë se në 2010-ën. Në total, zëri i pagave për këtë vit do të jetë rreth 67 miliardë lekë. Ndërkohë gjatë vitti 2012, parashikohet një fond disi më i ulët për rritje pagash, por gjithësesi shumë më i madh se ai në vitin 2010. Kështu në buxhet parashikohet të lihen rreth 7.9 miliardë lekë vetëm për rritjen e pagave, ose afro 600 milionë lekë më pak se në vitin 2011. Deri tani janë bërë publike vetëm fondet e lëna në dispozicion për rritjen e pagave për punonjësit e administratës publike, por jo sektorët dhe përqindjet e rritjes.

Rritja
Nga data 1 maj e këtij viti, 104 mijë buxhetorët përfituan një rritje mesatare prej 10 për qind në pagat e tyre. Pagat e afro 44 mijë arsimtarëve në të gjithë vendin u rritën nga 4 deri në 7 mijë lekë në muaj. Mjekët dhe infermierët ishin kategoritë e tjera që përfituan rritje pagash. Paga mesatare e infiermierëve arriti në rreth 31mijë lekë në muaj, ndërsa e mjekëve në 47 mijë lekë. Rritje pagash përfituan të gjithë punonjësit e administratës, Policisë së Shtetit, institucioneve të pavarura, etj. Ndërkohë që rritja e pagave nuk preku zyrtarët e lartë të administratës.

Buxheti 2009 2010 2011 2012 Pagat 51.6 mld lekë 55.4 mld lekë 66.8 mld lekë 75.2 mld lekë Politikat e reja pagash   3,020 mld lekë 8.4 mld lekë 7.9 mld lekë


Investimet, buxheti më i vogël në 2010-ën
Investimet publikë do të jenë në të njëjtat nivele me të këtij vit, duke mos njohur rritje, por madje një ulje të lehtë. Shpenzimet kapitale për vitin 2010 parashikohen në 90.4 miliardë lekë, ose rreth 34 milionë më pak, se ato të miratuara në buxhetin e këtij viti. Ndërkohë qeveria është treguar mjaft optimistë për vitet 2011-2012 duke rritur shumën e parashikuar për shpenzime kapitale. Për vitin 2011 parashikohen 100.1 miliardë lekë, ose 9.7 miliardë më shumë se në 2010-ën. Ndërkohë që kjo shifër parashikohet të jetë rreth 8 miliardë lekë më shumë në vitin 2012, ose në total 108 miliardë lekë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›