Konfederatat: Berisha po hakmerret për zgjedhjet
Kol Nikollaj akuzon qeverinë se po merr pronat e sindikatave t'ia japë "Fazlliçëve" me një euro
TIRANË- Miratimi i projektligjit, i cili zhvesh sindikatat nga çdo lloj pronësie mbi pronat e ish-bashkimeve profesionale vazhdon të shkaktojë reaksion të gjërë në radhet e sindikalistëve. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj e ka cilësuar antidemokratik nismën e qeverisë dhe ka deklaruar se do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë për moslejimin e zbatimit të tij, përfshi edhe ankimin e në gjykatën e Strasburgut. "Një institucioni apo individi mund t'i hiqet e drejta e pronës vetëm për një interes publik kundrejt shpronësimit. Në rastin konkret nuk ka asnjë interes publik që kjo të bëhet. Sindikalistët i kanë fituar këto prona që në vitin 1998. Fitimi i titullit pronar ne këtë vit nga sindikatat nuk mund te ndryshoje, pasi prishet siguria rendi juridik per nje te drejte te fituar me ligj", - tha ai.
Ky veprim shtoi Nikollaj, është një përpjekje që dhe këto pasuri të cilat sindikatat i kanë ruajtur dhe mbrojtur me sakrifice të vidhen me ligj dhe pastaj t'u japin me 1 euro ndonjë Faslliçi dhe që është projektuar që tani së bashku me projektligjin.
Sipas ligjit ligjit 8340/1 të miratuar në vitin 1998, Konfederata e Sindikatave te Shqiperise, rezulton si pronare e 40 për qind të pronave te trashëguara nga ish-bashkimet profesionale. Ndërsa në ditet e sotme ajo posedon vetëm 23 për qind të objekteve dhe më pak se 13 të truallit. E gjithë pjesa tjetër, sipas Nikollajt, është tjetërsuar si pasojë e "bixhozit" që aktorë të drejtësisë dhe ekzekutivit kanë luajtur mbi to. Sipas kreut të KSSH-së, miratimi i një projektligji të tillë ka edhe prapavijë politikë. "Ne jemi të bindur se kjo iniciativë jo vetëm është hakmarrje primitive për mosmbështetje të sindikatave në fushatën zgjedhore për partitë në pushtet megjithëse u kërkua një gjë e tillë", -tha ai.
Sipas projekligjit të miratuar nga qeveria, shteti do të marrë të gjitha të ardhurat që përfitohen nga pronat të cilat që nga viti 1992 ishin nën administrimin e sindikatave. Bëhet fjalë për ato prona, ku në kontratat e lidhura me blerësit ose qiramarrësit, sindikatat kanë kaluar të drejtat që ligji iu ka lejuar këtyre të fundit. Pra, nëse një sindikatë e caktuar në një rreth të vendit ka lidhur një kontratë qiraje për një objekt të caktuar me një investitor për një periudhë jashtë afatit që lejohet nga ligji, të ardhurat nga kjo marrëdhënie kalojnë nën administrimin e shtetit. E. Senja