Pagat dhe pensionet do rriten me para borxh
Qeveria merr hua te qytetarët 2.5 mld lekë. BSH: Të martën ankandi i bonove të thesarit
Pagat dhe pensionet do të rriten, ndonëse me para borxh. Qeveria do të marrë hua të qytetarët një shumë prej 2.5 miliardë lekësh, e cila do të përdoret pikërisht për rritjen e premtuar më 15 korrik. Huaja do të merret në formë ankandi, ku do të dalin në shitje bono thesari me afat maturimi 6 deri në 12 muaj, me një shumë prej 2.5 miliardë lekësh.
Ankandi
Banka e Shqipërisë njofton se ditën e martë do të zhvillohet ankandi i radhës i bonove të thesarit. Në këtë ankand do të dalin në shitje bono me afat maturimi 6 mujore dhe 12 mujore kundrejt një shumë të përgjithshme prej 2.5 miliardë lekësh. Kjo shumë koinçidon me të njëjtën vlerë që i duhet qeverisë për të përballuar rritjen e re të pagave dhe pensioneve, që do të hyjë në fuqi me 15 korrik.
Borxhi
Qeveria po merr borxh në një kohë kur deficiti buxhetor vetëm për 5 muajt e parë të këtij viti është rritur me 1.1 herë dhe borxhi publik ka kapërcyer mbi nivelin 62.4%, siç e konfirmoi pak ditë më parë edhe vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në daljen e fundit publike. Ndërkaq, Ministria e Financave pritet të dërgojë së shpejti për miratim në qeveri urdhrin e hartuar këto ditë për kufizimin e shpenzimeve në mes të vitit buxhetor. Megjithatë ky nuk është i pari rast i kësaj natyre, pasi edhe në vite të kaluara ka ndodhur që qeveria të reduktojë shpenzimet në mesin e vitit.
Buxheti
Por me humbjen e zgjedhjeve, qeveria aktuale nuk e ka më të drejtën për të ndërhyrë në buxhet, ndaj pritet që rishikimi i detyrueshëm i buxhetit të ndodh në muajin tetor nga qeveria e re e socialistëve. Zyrtarisht për pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat tatimore në buxhet janë afro 14 miliardë lekë më pak se plani, ndërsa deficiti buxhetor ishte mbi 38 miliardë lekë, afro 80% e gjithë deficitit vjetor të programuar. Vetëm në një muaj qeveria përfitoi një shumë totale prej 11,5 miliardë lekësh në 5 ankandet e bonove të thesarit të zhvilluara dhe përsëri këto para nuk kanë mjaftuar për të mbajtur në kohë premtimin për rritjen e pagave dhe pensioneve, kështu që të martën do të zhvillohet edhe ankandi i radhës.
2.5
miliardë lekë është shuma që Qeveria kërkon të marrë borxh te qytetarët në formën e bonove të thesarit. Paratë pritet të përdoren për rritjen e pagave dhe pensioneve
5
ankande të bonove të thesarit janë zhvilluar muajt e fundit ku qeveria ka siguruar shumën e 11.5 mld lekëve, ndërkohë që të martën pritet ankandi i radhës
14
miliardë lekë më pak se plani rezultojnë të ardhurat tatimore pë 5 muajt e parë të 2013-ës, ndërsa deficiti buxhetor është mbi 38 mld lekë