Papunësia, burrat më të papunë se gratë
Studimet flasin për rritje të papunësisë tek të rinjtë, ku 1 në 4 është i pa punë
Të rinjtë shqiptarë, madje edhe ata të diplomuar, rezultojnë të jenë më të prekurit nga papunësia. Të paktën këtë tregojnë statistikat e fundit të nxjerra nga studime dhe anketa të ndryshme. Për më tepër e ndarë sipas gjinisë, numri i meshkujve të papunë është më i lartë se ai i femrave.
Papunësia
Referuar të dhënave më të fundit rezulton se një në katër të rinj shqiptarë është i papunë. Edhe sipas INSTAT në raportin për vitin 2012 papunësia mes të rinjve deri në 29 vjeç arriti në 25 %, nga 21.5% që ishte një vit më parë (2011). Papunësia e lartë mes të rinjve është sot një ndër fenomenet më shqetësuese në Europë dhe kriza duket se e ka thelluar këtë problem edhe në Shqipëri. Papunësia mes të rinjve është pothuajse dy herë më e lartë se papunësia mesatare në ekonomi dhe, për brezin e parë të të rinjve, deri në moshën 24 vjeç, shkalla e papunësisë arrin në pothuajse 28 %.
Mosha
Përkundrazi, statistikat tregojnë se shkalla më e ulët e papunësisë është në intervalin e moshës më të vjetër aktive në tregun e punës, nga 55 deri në 64 vjeç, ku papunësia është 7.5%. Të dhënat e anketës së forcave të punës për vitin 2012 të Instat tregojnë një rënie të shkallës mesatare të papunësisë në 13.4%, nga 13.6% që ishte në vitin 2011.
Gjinia
Sipas Instat, papunësia ka tendenca të ndryshme sipas ndarjes gjinore. Për femrat, papunësia vitin e kaluar u ul në 12.1%, nga 13.8% që ishte në vitin 2011. Ndërsa për meshkujt papunësia është rritur në 14.5%, nga 13.4% që kishte qenë një vit më parë. Të dhënat tregojnë se me rritjen e nivelit arsimor rritet edhe shkalla e punësimit, ku individët me arsim 8 apo 9 vjeçar kanë një shkallë punësimi 53.5%, ndërsa për të diplomuarit shkalla e punësimit arrin në 66.9%. Bujqësia është sektori që siguron pjesën kryesore të punësimit në ekonomi, me 51.5% të totalit, e ndjekur nga shërbimet me 30%.
13.4 %
është shkalla mesatare e papunësisë në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, duke pësuar një rënie fare të papërfillshme, nga 13.6 % që ishte më parë
25 %
rezulton të jetë shkalla e papunësisë tek të rinjtë deri në moshën 29 vjeç, nga 21.5 që ishte më parë. Papunësia mes të rinjve është pothuajse dy herë më e lartë se papunësia mesatare në ekonomi
7.5 %
rezulton të jetë papunësia tek moshat e rritura, nga 55 deri në 64 vjeç, e konsideruar në vendin tonë si shkalla më e ulët e papunësisë, ndryshe nga çpo ndodh me të rinjtë
12.1%
u ul papunësia tek femrat nga 13.8 % që ishte më parë, ndërsa sa i përket meshkujve papunësia është rritur në 14.5%, nga 13.4% që ishte më herët