Meta: LSI nuk hyn kurrë në koalicion me Ramën
Z. Meta, PS ju ka bërë një ftesë publike për t'u bashkuar si aleatë. A do bashkoheni ju me PS?
Nuk mund të ketë bashkim të ri me demagogun e vjetër Edi Rama dhe me sivëllaun e tij, Sali Berisha. LSI nuk hyn në koalicion me Sali Berishën. Të gjithë e dinë që Sali Berisha na ka kërkuar që edhe të zgjidhim një president nga LSI, por ne asnjëherë nuk ramë pre e diversionit të tij për të përçarë opozitën. Por, përkundrazi, ishte e vetmja forcë politike që nuk paraqiti nga opozita asnjë kandidat për këtë post, duke synuar bashkimin e opozitës. Ne nuk mund të hyjmë në një koalicion me hipokritin Edi Rama, i cili sikurse e mbani mend vinte këtu te selia e LSI apo shkonte te selia e Paskal Milos dhe Neritan Cekës, dhe te Skënder Gjinushi, për të shtyrë zgjedhjet vendore dy muaj nga tirani i votës së lirë, Sali Berisha. Për një certifikatë ne kemi shtyrë zgjedhjet një muaj, edhe pse na kritikonte Solana për këtë shtyrje, edhe pse na kërkonin ambasadorët e huaj në Tiranë që të hynim në zgjedhje, por Edi Rama nuk donte që të hynim në zgjedhje. Dhe ky njeri vete dhe bëhet me Sali Berishën kundër interesave të opozitës, por jo vetëm kaq, kundër interesave të anëtarëve dhe simpatizantëve të PS bëhet me Sali Berishën për interesat e tij dhe të Sali Berishës, për interesat e tij kundër demokracisë dhe kundër vullnetit të popullit shqiptar. Ndaj ftesa të tilla janë vetëm hipokrizi dhe demagogji. Nuk hyn LSI në koalicion me Sali Berishën, sikurse hyri Edi Rama.
Z. Meta, kur thoni se këto ndryshime do të rishikohen, çfarë nënkuptoni?
Kjo do të thotë që lufta jonë nuk do të përfundojë, derisa të rishikohen ndryshimet që kanë ndodhur dje, derisa të marrë përgjigjen e merituar puçi që është bërë dje në Kuvendin e Shqipërisë. Sepse, të ndryshosh 9 nene të Kushtetutës për më pak se 3-4 ditë, jashtë gjithë procedurave parlamentare dhe demokratike, të ndryshosh thelbin e Kushtetutës, vetëm e vetëm që Edi Rama të marrë listën e mbyllur të partisë së vet, për t’i mbyllur gojën Petro Koçit me shokë, dhe njëkohësisht që Sali Berisha të marrë një nen që është një siguresë për të që të mos ikë si kryeministër deri në fund të këtij mandati të paktën është e papranueshme. Padyshim që ne nuk mund të pranojmë që për interesa kaq të vogla, kaq personale, kaq të ndyra të pajtohemi me Kushtetutën e Sali-Ramës. Kushtetuta mund të ketë pasur dhe mund të ketë nevojë për përmirësimet e saj, por kjo do të ndodhë vetëm përmes një procesi transparent, demokratik dhe konsensual dhe do të ndodhë, duke marrë në konsideratë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Z. Meta, dje, në parlament të vetmit kundështarë për këtë draft ishte LSI dhe aleatët e saj. Kemi të bëjmë këtu me një pol të tretë politik në vend?
Që sot LSI nis një aksion të madh mbarëkombëtar dhe jo e vetme, me gjithë forcat politike që janë kundër Republikës së Sali-Ramës dhe Kushtetutës së Sali-Ramës ose ndryshe të Gërdecit dhe njëkohësisht që sot, kryesia e LSI do diskutojë për situatën më të re politike në vend, do të marrë masat e saj të para dhe jemi në kontakt me të gjitha forcat politike, por edhe me aktorë të rëndësishëm politikë, edhe brenda PS ekzistuese, edhe me përfaqësues së shoqërisë civile, dhe e kemi thënë edhe më përpara që koalicioni i LSI do të jetë koalicion fitues.