E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e bizneseve, tatimet tejkalojnë planin

Mendohet që në rritjen e të ardhurave të ketë ndikuar rritja e nivelit të pagës minimale për punonjësit në sektorin privat


Në mes të muajit maj, paga minimale u rrit me njëmijë lekë duke arritur nivelin e 18 mije lekëve

TIRANË- Rritja e nivelit të pagës minimale për punonjësit në sektorin privat ka sjellë një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga tatimi i të ardhurave personale.


Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, rezulton që gjatë muajve janar- korrik të jenë mbledhur rreth 16 miliardë lekë nga 13 që ishin planifikuar ose rreth 25 për qind më shumë se plani.


Me këto tregues ky zë i të ardhurave në buxhetin e shtetit rezulton të jetë nga të vetmit të cilët paraqiten me tejkalim të planit ndërkohë që të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) ose akciza paraqiten me mosarritje të mëdha.


Sipas të dhënave, rezulton se tatimi mbi pagat e punonjësve të sektorit jo publik të ketë pësuar një rritje me 5.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ndërsa ato të sektorit publik, kanë një rritje me rreth 4.3 për qind.


Krahas rritjes së nivelit të pagës minimale, një ndikimi tejet të madh në rritjen e të ardhurave të tatimit mbi të ardhurat personale ka të bëjë edhe me mbajtjen e tatimit prej 10 për qindësh mbi vlerën e privatizimit të ARMO-s dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Një pjesë e këtyre të ardhurave janë mbledhur në muajt e fundit të vitit 2008 ndërsa pjesa tjetër gjatë muajve të parë të 2009-ës.


Kjo bëhet më e qartë në grafikun e ofruar nga financat ku rezulton një rritje e konsiderueshme gjatë muajit janar në të cilin janë derdhur edhe një pjesë e mirë e të ardhurave nga këto privatizime.


Nëse nga shuma e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale zbriten paratë që janë përfituar nga tatimi prej 10 për qindësh mbi vlerën e privatizimit të kompanive strategjike, rezulton që rritja reale e këtij zëri të jetë rreth 18 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.


Në mes të muajit maj qeveria rriti me njëmijë lekë pagën minimale për punonjësit në sektorin privat duke e çuar atë në nivelin e 18 mije lekëve.


Pas këtij Vendimi çdo punëdhënës ishte i detyruar që detyrimet tatimore të punonjësve të tij t'i paguante në raport me pagën e sanksionuar nga Këshilli i Ministrave. Ky vendim u prit me jo pak kundërshtime nga komuniteti i biznesit të cilët në të kundërt i kishin kërkuar qeverisë marrjen e masave lehtësuese ndaj tyre duke marrë parasysh edhe uljen e sasisë së parasë dhe të tregjeve që ato po përballeshin në atë periudhë.

Madje sipas tyre, në shumicën e rasteve niveli i pagave të sanksionuara nga qeveria për punonjësit në sektorin është më i lartë nga rroga reale që ata marrin, mbi bazën e së cilës paguhen edhe detyrimet ndaj shtetit.


Nga ana tjetër hapin e qeverisë për rritjen e nivelit të pagës minimale ekspertë të ndryshëm të ekonomisë e cilësuan si një rrugë për të lehtësuar sadopak efektin financiar prej 4 miliardë lekësh, që pritej të kishte aplikimi i ndryshimeve në ligjin "Për Kontributet Shoqërore", për uljen e masës së sigurimeve shoqërore që duhet të paguhet për çdo punonjës. Emirjon Senja


Të dhëna

16.1 miliardë lekë të ardhura nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale

12.8 miliardë lekë ishte plani për muajt janar-korrik 2009

25.6 % është realizimi mbi planin

5.7 % është rritja që kanë pësuar të ardhurat nga sektori privat

4.3 % është rritja që kanë pësuar të ardhurat nga sektori publik


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›