Pagat e magjistratëve, Kushtetuesja kalon në seancë kërkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kundërshtojnë ligjin e miratuar nga PS
Gjykata Kushtetuese ka vendosur kalimin në seancë të kërkesës së magjistratëve për çështjen e pagave, duke hapur rrugën për shqyrtimin e kundërshtimeve ndaj ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese pas miratimit të ndryshimeve ligjore për pagat e magjistratëve, të votuara nga mazhoranca socialiste në orët e para të 18 shtatorit.
Në një qëndrim të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kërkuan pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Kuvendi miratoi projektligjin me 84 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim. Formula e miratuar parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë, por nuk plotëson kërkesën e magjistratëve për një rritje prej rreth 80 mijë lekësh, të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ndërkohë, qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura që prej prillit 2023, të cilat parashikohet të shlyhen me këste brenda dy viteve.
NGËRÇI PËR PAGAT
Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë u thellua pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re, sipas afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që, nga 1 gushti, paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, me një shtesë prej 14 mijë lekësh për kualifikimin.
Megjithatë, Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat sipas kësaj përllogaritjeje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.