E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e magjistratëve, reagon Gjykata Kushtetuese: Vendimi është përfundimtar dhe i detyrueshëm

Gjykata Kushtetuese ka reaguar lidhur me diskutimet publike për pagat e magjistratëve, duke rikujtuar se për këtë çështje është shprehur më herët me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026. Në një sqarim zyrtar, Gjykata thekson se përmes këtij vendimi ka përcaktuar standardin kushtetues që duhet të zbatohet, si dhe detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse. Kushtetuesja rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim, duke e lidhur respektimin e tyre drejtpërdrejt me parimin e shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike.

“Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë, ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të. Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike”, thuhet në reagim.

Gjykata sqaron gjithashtu se mënyra se si përllogariten dhe ekzekutohen pagat në administrimin e saj të brendshëm nuk mund të përdoret si bazë për interpretimin e efekteve juridike të vendimit.

“Mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›