Zjarri në Çërrilë të Mallakastrës vihet nën kontroll, flakët neutralizohen plotësisht

Pas disa orësh përballje me flakët, zjarri që përfshiu zonën e Çërrilës në Mallakastër është neutralizuar plotësisht. Zjarri i përmasave të mëdha nisi mesditën e djeshme (6 shtator) në një sipërfaqe të mbuluar me pisha, ullishte dhe bimësi, ndërsa u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është vështirësuar nga terreni i thyer, duke e bërë të vështirë aksesin në disa prej vatrave të zjarrit. Pavarësisht ndërhyrjes, flakët u riaktivizuan gjatë orëve të natës.
Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet zjarrfikëse të Mallakastrës kanë vijuar punën në terren për shuarjen dhe neutralizimin e plotë të vatrave të mbetura.
Pas ndërhyrjes së ekipeve, zjarri tashmë është shuar, ndërsa situata në zonë paraqitet e normalizuar.
/rtsh.al/