E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat referuese sipas bizneseve në të gjitha rrethet

Niveli më i lartë i kësaj page është për qytetin e Tiranës. Paga më e lartë është për drejtuesit e lartë të bankave

Jonida Tashi

Qeveria ka përcaktuar nivelin e pagave të tatueshme për të gjithë sektorin privat. Për herë të parë niveli i pagës referuese bazë, me anë të së cilës llogaritet vlera e nivelit të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe vlera e tatimit mbi të ardhurat personale, është ndarë sipas qyteteve. Sipas vendimit të qeverisë, niveli më i lartë i kësaj page është për qytetin e Tiranës, ku paga më e ulët është për punëtorët e pakualifikuar në nivelin e 17 mijë lekëve. Ndërsa paga më e lartë është për drejtuesit e lartë të bankave në nivelin prej 500 mijë lekësh. Në vendimin e qeverisë, bizneset janë të ndarë në “VIP” dhe të mëdhenj. Të punësuarit janë ndarë në pesë kategori, ku përcaktohet qartë edhe niveli i punës që ata kryejnë. Në kategorinë e parë përfshihen drejtorët administrativë të DTM, ose e thënë ndryshe të kompanive “VIP”. Gjithashtu, në këtë kategori përfshihen edhe subjektet e tjera ose bizneset e mëdha. Ndërsa në kategorinë e dytë janë përfshirë pagat referuese për drejtorët e nivelit të dytë, pra drejtues të degëve, njësive dhe specialistë me arsim të lartë në të njëjtat kategori biznesi. Në kategorinë e tretë janë përcaktuar pagat referuese për teknikët dhe specialistë në zbatim, pra për ata që kanë përfunduar arsimin e lartë. Ndërsa në dy kategoritë e tjera janë pagat referuese të punëtorëve të kualifikuar dhe të pakualifikuar, të cilët nuk e kanë përfunduar arsimin e lartë. Gjithsesi janë 32 sektorë të ekonomisë, të punësuarit e të cilëve do të kenë paga të referuara nga qeveria.
Zbatimi
Zbatimi i vendimit të qeverisë për llogaritjen e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore, si dhe tatimit mbi të ardhurat nga tatimi, po përdoret nga tatimorët i shoqëruar edhe nëpërmjet një udhëzimi të nxjerrë nga Ministria e Financave. Nxjerrja e këtij udhëzimi nga dikasteri i Financave i kalon më pas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave dhe më pas ajo ua kalon degëve nëpër rrethe. Udhëzimi përcakton qartë rastet kur do të merren parasysh pagat e reja referuese. Për këtë, ekspertë të Ministrisë së Financave kanë përgatitur disa shembuj, ku më tipiku i përket sektorit të ndërtimit. Objekt i vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 285, datë 4.5.2007, janë pagat referuese mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, kjo për të gjithë të punësuarit që punojnë në personat juridikë me kapital tërësisht privat, në biznesin e madh apo biznesin e vogël dhe në shoqëritë ku shteti shqiptar zotëron më pak se 50 për qind të aksioneve. Kështu, të gjithë të punësuarit që punojnë në personat fizikë, në biznesin e vogël apo në biznesin e madh, do të paguajnë kontributin e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të ardhurat mbi tatimin mbi këtë pagë të re referuese. Sakaq, udhëzimi i nxjerrë nga Ministria e Financave ka përcaktuar edhe personat fizikë që nuk janë objekt i këtij vendimi. Përjashtohen nga ky vendim personat fizikë të vetëpunësuar, si dhe punonjësit e papaguar të familjes së tij, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton.
Pagat referuese
Pagat referuese të përcaktuara sipas llojeve të veprimtarisë dhe rretheve ku zhvillohet aktiviteti ekonomik zbatohen sipas rasteve të ndryshme, fillimisht për të punësuarit si administratorë, drejtor i përgjithshëm apo drejtor në subjektet e regjistruara në rrethet. Përveç subjekteve që janë regjistruar në degën e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Tiranë (DTM), apo të klasifikuar si tatimpagues të mëdhenj në rrethe të tjera të vendit, do të merren parasysh paga referuese që është vendosur nga qeveria për rrethin përkatës, në të cilin subjekti ka të regjistruar qendrën e veprimtarisë së tij. Më pas, për të punësuarit si administratorë, drejtor i përgjithshëm apo drejtor, në subjektet e regjistruara në Degën e Tatimpaguesve të Mëdhenj apo të klasifikuar në tatimpaguesit e mëdhenj, të cilët kontrollohen nga DTM-ja, si pagë referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, do të merret paga e përcaktuar sipas kategorisë së rrethit përkatës ku subjektet janë regjistruar. Kurse për të punësuarit si drejtues të degëve apo njësive dhe për specialistët me arsim të lartë, të cilët punojnë në qendrën e subjektit, në subjektet e regjistruara në rrethet, sipas tri kategorive të përcaktuara në vendim, përveç subjekteve që janë regjistruar në Degën e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë (DTM), apo të klasifikuar si tatimpagues të mëdhenj në rrethe të tjera, si pagë referuese mujore do të merret paga e përcaktuar, në varësi të rrethit ku punojnë. Për të punësuarit si teknikë dhe specialistë në zbatim, punëtorë të kualifikuar dhe punëtorë të pakualifikuar, si pagë referuese mujore do të merret paga referuese, në varësi të rrethit ku ata punojnë, pavarësisht nga rrethi ku është regjistruar subjekti. Në emërtimin “teknikë dhe specialistë në zbatim”, përfshihen të punësuarit, që pavarësisht nga niveli i tyre arsimor, punojnë direkt në zbatim në procesin e prodhimit, ndërtimit, shërbimit, transportit, tregtisë, si specialistë, teknikë, mjeshtër të krahasueshëm, duke drejtuar apo mbikëqyrur punën e të tjerëve.

Shembuj për një subjekt me aktivitet kryesor ndërtimi

Shembull 1

Qendra kryesore e veprimtarisë së subjektit është Tirana, subjekti është i regjistruar në degën e tatimpaguesve të mëdhenj. Subjekti ka një degë/filial në Rrethin e Tiranës dhe një në Rrethin e Kavajës. Për këtë rast, pagat referuese mujore do të jenë:
Për administratorin, drejtorin e përgjithshëm apo drejtorin, 250 000 lekë në muaj. I referohet aneksit të pagës së subjekteve të degës së tatimpaguesve të mëdhenj me qendrën kryesore të veprimtarisë në Tiranë, ndarja 45, kolona e parë (DTM);
Për të punësuarit si drejtues të degëve apo njësive dhe për specialistët me arsim të lartë, të cilët punojnë në qendrën e subjektit në Tiranë (selia qendrore), 150 000 lekë në muaj, ndarja 45, kolona e tretë (DTM);
Për të punësuarit si drejtues të degës Tiranë, 150 000 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona e tretë (DTM);
Për të punësuarit si drejtues të degës Kavajë, 50 000 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona e tretë (DTM);
Për të punësuarit si teknikë dhe specialistë në zbatim të degës Tiranë, 33 000 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona pesë (rrethi Tiranë);
Për të punësuarit si teknikë dhe specialistë në zbatim të degës Kavajë, 30 000 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona pesë (rrethe të tjera);
Për të punësuarit që punojnë në punë të kualifikuara në degën Tiranë, 27 830 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona gjashtë (rrethi Tiranë);
Për të punësuarit që punojnë në punë të kualifikuara në degën Kavajë, 25 300 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona gjashtë (rrethe të tjera);
Për të punësuarit që punojnë në punë të pakualifikuara në degën Tiranë, 17 000 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona shtatë (rrethi Tiranë);
Për të punësuarit që punojnë në punë të pakualifikuara në degën Kavajë, 14 000 lekë, e cila i referohet pagës, ndarja 45, kolona shtatë (rrethe të tjera).

Shembulli 2

Qendra kryesore e veprimtarisë së subjektit është Elbasani, subjekti është i regjistruar në Degën e Tatimeve Elbasan. Subjekti ka një degë/filial në Rrethin e Elbasanit dhe një në Tiranë. Për këtë rast, pagat referuese mujore do të jenë:
Për administratorin, drejtorin e përgjithshëm apo drejtorin, 100 000 lekë në muaj. Kjo pagë i referohet aneksit të pagës “subjekte të tjera” me qendrën kryesore të veprimtarisë në Elbasan, ndarja 45, kolona e dytë (rrethe kategori e dytë);
Për të punësuarit si drejtues të degëve apo njësive dhe për specialistët me arsim të lartë, të cilët punojnë në qendrën e subjektit në Elbasan (selia qendrore), 48 000 lekë;
Për të punësuarit si drejtues të degës Elbasan, 48 000 lekë;
Për të punësuarit si drejtues të degës Tiranë, 60 000 lekë;
Për të punësuarit si teknikë dhe specialistë në zbatim të degës Elbasan, 31 500 lekë;
Për të punësuarit si teknikë dhe specialistë në zbatim të degës Tiranë, 33 000 lekë;
Për të punësuarit që punojnë në punë të kualifikuara në degën Elbasan, 26 565 lekë;
Për të punësuarit që punojnë në punë të kualifikuara në degën Tiranë, 27 830 lekë;
Për të punësuarit që punojnë në punë të pakualifikuara në degën Elbasan, 15 000 lekë;
Për të punësuarit që punojnë në punë të pakualifikuara në degën Tiranë, 17 000 lekë.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›