E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sektori privat, pagat referuese për llogaritjen e pensionit

Pagat referuese do të aplikohen pasi organet tatimore të kryejnë vlerësimin e tyre. Nomenklatura e profesioneve dhe punësimeve për 97 veprimtari ekonomike

Jonida Tashi

Zbardhen pagat referuese që merren për bazë në llogaritjen e pensionit për të punësuarit në sektorin privat. Përcaktimi i pagës minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për punëmarrësit e sektorit privat që punojnë në punë të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues tekniko-ekonomik të tyre, është bërë sipas nomenklaturës së veprimtarisë ekonomike. Paga minimale mujore, për punëmarrësit e sektorit privat, sipas nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe të kërkesave të vendit të punës për kualifikim përcaktohet sipas tabelës më poshtë. Kur administrata tatimore vëren se pagat e deklaruara nga punëdhënësit jopublikë, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale të të punësuarve të tyre, nuk janë reale dhe nuk i përgjigjen vlerës së tregut për shërbimet e punësimit, ajo ka autoritetin t’i rivlerësojë, sipas niveleve të pagave, të dhëna në këtë vendim. Paga referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të tatimit mbi të ardhurat personale për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik, sipas nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe të kërkesave të vendit të punës për kualifikim, përcaktohet sipas klasifikimit në tri kategori të rretheve ku ushtrohet veprimtaria e biznesit. Për degët e naftës, hotelerisë dhe peshkimit administrata tatimore mund të zbatojë pagën referuese të pozicionit.
Ndarja
Me termin “Punë e pakualifikuar apo me kualifikim të ulët” nënkuptohen punët që nuk kërkojnë kualifikim paraprak apo që mund të kryhen nga një punëmarrës, i cili mund të mos e ketë kryer ndonjëherë atë punë. Këtu përfshihen, pa u kufizuar vetëm në to, punë të tilla si pastrues, korrier, shitës, kamerier, paketues, lavazhier, përgatitës llaçi me krahë, transportues me krahë, punëtor ngarkim-shkarkimi me krahë, punëtor për gërmim toke me krahë, qepës cope e lëkure, si dhe punëtorë për punë të ngjashme. Në termin “Punë e kualifikuar” përfshihen punët apo profesionet që kërkojnë aftësim profesional dhe që nuk mund të kryhen nga një punëmarrës pa kualifikim paraprak apo që nuk e ka ushtruar ndonjëherë atë punë a profesion. Njohuritë e shprehitë e domosdoshme për një veprimtari të kualifikuar profesionale në nivelin e punëtorit të kualifikuar, për një specialitet të dhënë, mund të jenë fituar nga punëmarrësi përkatës, nëpërmjet arsimit profesional, kurseve të formimit profesional apo dhe gjatë praktikës. Punëmarrësit që punojnë në punë të kualifikuara si: në sektorin e ndërtimit (murator, karpentier, suvaxhi, shtrues pllakash, bojaxhi, betonues, izolues, zdrukthëtar ndërtues, montator, saldator, hidraulik, elektricist etj., të krahasueshme); në sektorin e industrisë së veshjeve dhe atë të lëkurës e këpucëve (modelist, prestar, lustrues etj., të krahasueshme); në sektorin e prodhimit të mobilieve (modelist, zdrukthëtar, tapicier, mobilist, lustrues etj.); në sektorin e ushqimit social (recepsionist, kuzhinier, banakier, pasticier, picier etj., të krahasueshme); në sektorin e mediave (reporter, gazetar, kameraman etj., të krahasueshme), nuk mund t’i kryejnë këto punë e profesione nëse nuk kanë kryer, paraprakisht, një shkollë profesionale, një kurs formimi profesional apo nuk e kanë përfituar këtë profesion gjatë praktikës. Kurse në përkufizimin “Personel drejtues dhe tekniko-ekonomik”, pa u kufizuar vetëm në to, përfshihen punëmarrësit që kryejnë detyrën apo funksionin e menaxherit të degës a të njësisë, drejtuesit e degës, njësisë, sektorit, repartit, zëvendësdrejtori, juristi, noteri, avokati, inxhinieri, teknologu, ekonomisti, financieri, agronomi, mjeku, farmacisti, stomatologu, laboranti, lektori, veb-masteri, faqosësi, redaktori, specialisti teknik, ekonomik, i shitjeve, blerjeve, përgjegjësi i sektorit, degës, repartit, instruktori etj., të krahasueshme. Në termin “Administrator/drejtor i përgjithshëm”, pa u kufizuar vetëm në to, përfshihen punëmarrës që kryejnë detyrën apo funksionin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të shoqërisë, të administratorit të përgjithshëm, kryeredaktorit, rektorit, dekanit etj., të krahasueshme.
Paga bruto
Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm, që lindin në marrëdhëniet e punës. Paga bruto nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, që është 17 mijë lekë në muaj. Kontributet llogariten deri në një pagë maksimale, e cila është sa pesëfishi i pagës minimale. Kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore llogariten e paguhen edhe për të ardhurat nga paga dhe shtesat mbi pagat nga një punë e dytë. Mbështetur në udhëzimin e ministrit të Financave Nr.4, datë 18.1.2005, “Për mbledhjen e Kontributeve të Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore”, në qoftë se një nga punëmarrësit punon në dy punë atëherë për këtë punëmarrës secili prej punëdhënësve të tij (personi juridik ose personi fizik) llogarit dhe paguan kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore njësoj sikur personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër. Pra, secili prej punëdhënësve, në mënyrë të pavarur, llogarit dhe paguan kontributet, mbi bazën e pagës reale të punëmarrësit, brenda kufirit maksimal të miratuar. E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e të vetëpunësuarve, kur i vetëpunësuari është njëkohësisht edhe punëmarrës edhe punëdhënës. Atëherë ai duhet të regjistrohet në degën e tatimeve dhe të paguajë kontributet dhe detyrimet e tjera si i vetëpunësuar, sipas gjithë rregullave, njësoj sikur të mos ishte edhe punëmarrës. Ndërkohë, ai duhet gjithashtu të paguajë kontributet edhe si punëmarrës te një punëdhënës tjetër. Punëdhënësi, ku i vetëpunësuari është punëmarrës, i bën veprimet njësoj si për të gjithë punëmarrësit, sikur personi të mos ishte edhe i vetëpunësuar. Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për efekt të kontrollit të zbatimit të kufijve minimalë e maksimalë të pagave bëhet proporcionalisht me kohën e punuar. Për këtë, subjektet punëdhënëse janë të detyruara të bëjnë shënimet përkatëse në regjistrin e pagave të punonjësve për kohën dhe arsyet e ndërprerjes së punës.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›