BE: Ok kodit, por duhen zgjedhje te lira
TIRANË- Pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, Europa kërkon që zgjedhjet e ardhshme të jenë sipas standardeve të larta. Komisioneri evropian për zgjerimin në BE, Olli Rehn, kërkoi dje nga Brukseli, që qeveria bashkë me opozitën, por edhe me aktorët e tjerë në Shqipëri, të sigurojnë zgjedhje sipas standardeve më të mira. Pas takimit të zhvilluar me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, Rehn bëri të qartë rolin që kanë zgjedhjet e vitit 2009 për integrimin në BE. Pikërisht për këtë arsye, qeveria dhe opozita, sipas tij, duhet të angazhohen seriozisht për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, si dhe duhet të bëjnë më shumë për pavarësinë e institucioneve. "Komisioni mirëpret miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në Parlamentin e Shqipërisë dhe ne do të bazojmë vlerësimin tonë mbi zgjedhjet e ardhshme, mbi vëzhgimin që i bëhet si normalisht procesit nga OSBE-ODHIR-i. Në Europë nuk ka një standard të vetëm për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Ne presim që qeveria, si dhe opozita, jo vetëm partia kryesore e opozitës, por të gjitha partitë politike, të jenë të angazhuara në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme",- tha Rehn. Komisioneri për zgjerimin, theksoi gjithashtu se krahas arritjeve, Shqipëria ka shumë punë përpara, veçanërisht në çështjen e kulturës demokratike dhe pavarësisë së institucioneve. Rehn shtoi njëkohësisht, se Shqipërinë e presin sfida të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga ana e tij, ministri Basha, ka siguruar komisionerin Rehn se qeveria e Shqipërisë është plotësisht e angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta, duke përfshirë edhe angazhimin se çdo parti politike do ketë mundësi të marrë pjesë në zgjedhje, pavarësisht pozicionit dhe përmasave që ka. Po dje, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, zhvilloi takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap De Hoop Shefer, ku gjatë bisedës u trajtuan dhe çështje të stabilitetit rajonal dhe zhvillimeve në vendet fqinje. Gjatë takimit u diskutuan dhe çështje të tjera të rëndësishme që preokupojnë aleancën, si dhe parapërgatitjet për mbledhjen e ministerialit të Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe NATO-s, që mbahet muajin e ardhshëm në Bruksel.