Pagesa para se të kryhen shërbimet

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, duke i dhënë para avancë një kompanie.
Në kontratën organizimi i panairit “Java e gjelbërt në Berlin 2013” është bërë transferimi i mjeteve në vlerë 9,850 eurove në llogari të kontraktuesit para se të mbahet panairi.
Pagesa ishte proceduar në dhjetor 2012, ndërsa panairi është organizuar në janar 2013.
Këtë shkelje të ministrisë e ka evidentuar në Raportin e pasqyrave financiare për vitin përfundimtarë 2012 të MPBZHR-se, Zyra e Auditorit Gjeneral.
Auditori shprehët se rreziku, është ngase ekzekutimi i pagesës para se të kryhet shërbimi rrezikon që shërbimet e kontraktuara dhe të realizuara të mos kenë vlerën për paranë. Andaj, i ka rekomanduar ministrisë që në të ardhmen ekzekutimi i pagesës duhet të kryhet pas përfundimit të shërbimeve apo furnizimeve dhe pas pranimit të tyre nga personat përgjegjës.
Një rast i ngjashëm pat ndodhur para pak vitesh në Komunën e Prishtinës, ku disa menaxher komunal kishin përfunduar në paraburgim, kurse hetimet për disa nga ta ende nuk janë mbyllur. Por, vlera e projektit ishte më e madhe.
Ky nuk është rasti i vetëm i shkeljeve që ka evidentuar Zyra e Auditorit Gjeneral për Ministrinë e Bujqësisë.
Në tenderin, “Furnizimi me pleh mineral dhe foliar për nevoja të IBK” në vlerë rreth 30 mijë eurove, Auditori ka gjetur se kriteri i kërkuar në kontratë për origjinën e furnizimeve nuk ishte i përmbushur.
“Kompania është dashur të dorëzoi një certifikatë të origjinës së plehut mineral të cilën nuk e ka dorëzuar. Sipas marrëveshjes mosveprimi sipas këtij kushti mund të ketë si rezultat ndërprerjen e kontratës”, thotë Audtori në raportin për Ministrinë e Bujqësisë. Këtë tender e kishte fituar kompania “Agroflorence”.
Sipas Auditorit, mospërmbushja e kriterit mbi origjinën e mallit ka ndikimin që produktet të cilat furnizohen të mos jenë sipas kualitetit të kërkuar dhe efekti i këtyre produkteve të mos jep rezultatet e pritura nga përdoruesit.
Nga ana tjetër, ministria ka realizuar projekte kapitale, por mjetet e shpenzuara për to nuk i ka paraqitur tek Investimet kapitale, por tek kodet tjera ekonomike jo adekuate.
“475 mijë e 948 euro të shpenzuar për projektin Rehabilitimi i sistemit të ujitjes në Kosovë. Kjo vlerë është regjistruar në kodin ekonomik si kapital tjetër e jo në kodin adekuat të Ujitjes. Pagesat për “Ndërtimin e rrugës pyjore Keqekolla“ në vlerë 39,470 eurove është bërë regjistrimi në kodin ekonomik shërbimet e tjera kontraktuese ndërsa, shpenzimi ka të bëjë me kategorinë e investimeve kapitale. Pagesat për furnizim me veshmbathje në vlerë 3,488€ është bërë regjistrimi në kodin ekonomik shërbimet e tjera kontraktuese, natyra e shpenzimit ka të bëjë me furnizim me veshmbathje”, thuhet në raport.
Sipas auditorit, regjistrimet e shpenzimeve në kode ekonomike joadekuate mund të ndikojnë në plotësin e cilësisë së informatave mbi kategorizimin e tyre.
Auditori ka gjetur edhe disa shkelje dhe lëshime tjera që ka bërë Ministria e Bujqësisë gjatë vitit 2012.
Megjithëkëtë, sipas Auditorit, pasqyrat financiare prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.
Si theksim i çështjes Regjistri i Pasurive Fikse ende nuk është plotësisht i besueshëm. Andaj, auditori kësaj ministrie i ka dhenë Opinion të Pakualifikuar me Theksim të Çështjes.
14 rekomandime do ti adresojë gjatë këtij viti ministria, gjë që tregon që është shumë më keq se në auditmin e vitit 2011, ku kishte marr vetëm 8 rekomandime. /Indeksonline/