E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagesë shtesë për rreth 3 mijë punonjës

28/07/2010 Mblidhet Këshilli Kombëtar i Punës, aprovohen ndryshimet e propozuara për profesionet e vështira

Fasonistët kërkojnë ndryshime ligjore për daljen e këtij sektori nga kriza

Pas diskutimeve të zhvilluara ndërmjet grupeve të interesit, Këshilli Kombëtar i Punës ka miratuar në mbledhjen e zhvilluar gjatë ditës së djeshme draftin ligjor për mbështetjen me pagesë të veçantë për punonjësit e profesioneve të vështira. Pjesëmarrësit kanë kërkuar kalimin e projektligjit sa më shpejt për miratim pranë Këshillit të Ministrave dhe në Parlament, në mënyrë që të mos vonohet vënia në zbatim e ndryshimeve të reja të propozuara. Sipas përcaktimeve të bëra, për dhënien e pagesave të veçanta për disa kategori të profesioneve të vështira pritet të përfitojnë rreth 3 mijë persona. Këta të fundit do të trajtohen me një pagesë të veçantë shtesë, e cila do të zyrtarizohet me miratimin e draftit të ri ligjor që është përgatitur nga ekspertët e ekonomisë. Ndërkohë që mosha e daljes në pension nuk do të pësojë ndryshime.

Drafti

Sipas ekspertëve, drafti i hartuar synon që mbi 3 mijë persona që u përkasin 117 profesioneve të vështira, edhe pse nuk do të dalin më herët në pension, do të mund të përfitojnë pagesë shtesë mujore. Tashmë janë përcaktuar edhe limitet e pagesës me të cilën do të trajtohen personat që punojnë në kategorinë e parë të profesioneve të vështira. Kështu, në projektligj është specifikuar se trajtimi i veçantë do të jetë një pagë jo më e vogël se pensioni minimal, dhe jo më e madhe se dyfishi i pensionit minimal. Për të përfituar këtë pagesë personat duhet të plotësojnë disa kritere, siç janë vitet e punës dhe kontributet e derdhura. Kreu i Drejtorisë së Politikave për Pagat dhe Pensionet në Ministrinë e Punës, Astrit Kuka, gjatë mbledhjes ka sqaruar se drafti është konsultuar me grupet e interesit dhe është bazuar në një studim paraprak të legjislacionit të vendeve të tjera.

Kushtet e trajtimit

Projektligji parashikon mbështetje financiare për punonjësit që kanë punuar në punë të vështirë, të kategorisë së parë, në moshën 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë, me kusht që të ketë periudhë sigurimi “30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet në punë të kategorisë së parë nën tokë, si dhe 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 22 vjet e 6 muaj në punë të kategorisë së parë”. Këshilli miratoi Projektligjin dhe u kërkua kalimi i tij sa më shpejt për miratim në Qeveri dhe Parlament. Këshilli Kombëtar i Punës është organi më i lartë konsultativ tripalësh në vend, në përbërje të të cilit në funksionin e anëtarit bëjnë pjesë shtatë ministra si dhe njëzet përfaqësues të partnerëve socialë, nga të cilët dhjetë përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe dhjetë përfaqësues të organizatave sindikale. Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje një tjetër pikë e rëndësishme që është diskutuar ka të bëjë edhe me plotësimin e kërkesave për përkrahjen financiare të biznesit fason, i cili është prekur nga kriza.

Kriza përfshin edhe industrinë e fasonëve

Propozimet për mbështetjen financiare të këtij biznesi

Një tjetër tematikë që ka zgjuar debate të shumta në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës ishte edhe diskutimi rreth propozimeve të industrisë fasoniste mbi disa ndryshime ligjore për mbështetjen e këtij sektori. Përfaqësuesit e këtij biznesi kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2008-2009 janë shkurtuar 11 mijë vende pune, duke shtuar se kriza sociale është edhe më e rëndë, pasi 66.4 për qind e punëtorëve janë shprehur se do të largohen sapo të liberalizohen vizat, pasi një pjesë e madhe e tyre blejnë ushqime me listë, duke qenë se kanë pakësim të ndjeshëm të të ardhurave mujore. Për këtë janë lëshuar disa propozime nga përfaqësuesi i industrisë fasoniste, Bardhi Sejdarasi. “Sektori i fasonit, në vazhdën e partneritetit të realizuar me Qeverinë, ka kërkuar e kërkon mbështetje ligjore, iniciativave dhe vëmendje për t’u mbijetuar efekteve të krizës, e cila ka sjellë një impakt negativ në tërë ecurinë e sektorit”, deklaroi Sejdarasi, i cili më pas renditi kërkesat e paraqitura nga ky sektor. Ndër to përmendim “heqjen e taksës së tatimfitimit për këtë sektor për një periudhë 3-5vjeçare, përjashtimin e punonjësve të rinj nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore për 1-3 vjet, heqjen e TVSH dhe të taksës doganore”. Lidhur me këto shqetësime, ministri i Punës, njëherësh edhe kryetar i Këshillit, propozoi që të gjitha palët të reflektojnë rreth diskutimeve të bëra në mbledhje, dhe brenda dhjetë ditësh të paraqesin pranë ministrisë propozimet për mbështetjen e këtij sektori.

Grupimet e kërkesave për mbështetjen e industrisë fasoniste

- Mbështetja nëpërmjet fondeve të Ministrisë së Punës për formimin profesional dhe nxitjen e punësimit për mbështetjen e formimit profesional nëpërmjet punës në këtë sektor.

- Mbështetja nga Ministria e Financave nëpërmjet aplikimit të lehtësirave fiskale për ato biznese fasonistësh që kalojnë nga prodhimi me material porositësi, në prodhime Made in Albania.

- Fillimi i një dialogu me sigurimet shoqërore për rillogaritjen e bazës së vlerësueshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›