Rikthimi i Stallone-s
Takimi i të rinjve fanatikë të filmave të animuar, novelave grafike dhe atyre fantastiko-shkencore, “Comic-Con”, që nisi të enjten në San Diego rreth një javë më parë, u shndërrua pak nga pak në një event promocional të kinemasë dhe filmave më të bukur aksion të Hollivudit. Ngjarja, e nisur me tradicionalen “Zombie Walk”, “Comic-Con 2010”, më shumë se sa vitrina e të çuditshmëve dhe e atyre që pëlqejnë të vishen sikur janë në sheshin e xhirimeve të “Star Trek”, është një pasarelë divash të konfirmuar: nga Angelina Jolie, e cila prezantoi thrillerin e ri “Salt”, Jeff Bridges protagonist i “Tron” apo Nicolas Cage me “Drive Angry”. Por, mbi të gjithë, spikat emri i pavdekshëm i Sylvester Stallone-s, i cili në moshën 64-vjeçare duket më në formë se kurrë. Shumë pak mund ta kishin menduar rikthimin e Sylvester Stallone-s, aktorit të mirënjohur të Hollivudit, i famshëm në SHBA me pseudonimin “Sly” që në dhjetëvjeçarët e fundit i ka dhuruar kinematografisë filma me një sukses të madh si Rocky dhe Rambo Pas rikthimit si regjisor, përveçse si aktor në filmin e fundit dedikuar personazhit të preferuar John Rambo, Sylvester Stallone, me 64 vite jetë mbi shpinë, ka ende një formë të përkryer fizike që padyshim ka kontribuuar për ta bërë të famshëm në të gjithë botën. I fotografuar në sheshin e xhirimeve të “The Expendables”, Rocky Balboa i famshëm dhe i dashur nga të gjithë, nuk ngurron të nxjerrë në pah barkun e sheshtë dhe krahët plot muskuj si në kohët e arta.
“The Expendables”, filmi i tij i ri, do të sjellë në ekran emrat më të mëdhenj të kinemasë si Arnold Schwarzenegger, Bruce Willis, Mickey Rourke, Eric Roberts, Jet Li dhe Jason Statham. Stallone ka shkruar dhe drejtuar filmin, që do të dalë në Amerikë më 13 gusht, ku shfaqen edhe Dolph Lundgren, me të cilin ka pasur njohje të vjetër që në Rocky IV, kampioni i wrestling, Steve Austin dhe Randy Couture. Një sipërmarrje e vështirë dhe shumë serioze. “Pikërisht këtu qëndron e bukura. Filmat aksion që shohim sot në televizion janë shumë të lehtë për t’u quajtur të tillë. Por ‘The Expendables’ është shumë ndryshe, është i ashpër dhe nuk ndalet para asgjëje. Ne të vjetrit e kinemasë jemi pa vlerë, ashtu siç thotë titulli? Qesh mirë kush qesh i fundit”.
Zoti Stallone, çfarë historie tregon filmi juaj?
Interpretoj personazhin e Barney, të quajtur Schizo, një mercenar që thërret një grup vrasësish profesionistë për një mision plot surpriza në Amerikën e Jugut. Mickey Rourke është një njeri që bën tatuazhe, por edhe një lloj këshilltari shpirtëror, ndërsa i keqi është Eric Roberts, që do ta verifikojë edhe një herë famën e tij prej të forti në ekran. Arnold Schwarzenegger e Bruce Willis janë dy personazhe të krimit ndërkombëtar të viteve ‘90, që do ta takojnë Schizo-n në një samit shumë imoral në një kishë.
Një bashkim mes ju të treve, që 20 vjet më parë themeluat së bashku zinxhirin e restoranteve “Planet Hollywood”...
Kemi mbetur miq të mirë gjithmonë. Sa për restorantet, ata punuan falas për këtë çmenduri timen.
çfarë zhanri mund t’i përkasë "The Expendables"?
"The Expendables" është një nga ata filmat që kishim harruar t’i shihnim në ekran. Me skena aksion që të ngrenë përpjetë pa arritur tek fundi. Trupa që hidhen në ajër, luftë e ashpër, njerëz që theren, kokainë që shpërndahet gjithandej. Gjithçka e xhiruar me efekte mekanike, jo dixhitale. Këto të fundit janë përdorur shumë rrallë në ndonjë skenë të vështirë. Këtu e mira dhe e keqja bëhen bashkë.
Shpresoni të ktheheni sërish si hero i filmave aksion?
Ashtu si Rambo apo Rocky, edhe unë luftoj vazhdimisht. Bie dhe ngrihem, më bëjnë copa dhe e marr veten. Por nuk më bën asgjë përshtypje dhe të gjithë ata që nuk kanë besim tek unë, dua t’i them: do të më shihni. Akoma nuk e kam mbyllur kapitullin me kinemanë. Kam shumë për të dhënë. Nuk e konsideroj veten një send të vjetruar.
Në ç’mënyrë ju yjet e filmave aksion të viteve ‘80-‘90 ishit shumë ndryshe nga kolegët e sotëm?
Kishte diferenca që lidheshin me karakterin e që reflektoheshin në personazhet e interpretuar në ekran. Për shembull Arnold nuk mund të kishte luajtur kurrë Rambon dhe as unë Terminatorin me karakteristikat që kemi. Nëpër filmat tanë gjejmë personalitetin tonë. Sot, kushdo mund të bëjë diçka. Muskujt mund t’i krijosh dhe lëvizësh falë teknologjisë edhe kur nuk i ke. çdo film mendohet mirë dhe analizohet në detaj nga një këshill administrativ. Sigurisht nuk do ta kisha xhiruar kurrë “The Expendables” nëse do të më duhej ta bëja pa dëshirë, edhe pse jam një “pjesë” e vjetër e kinemasë.
#