E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paguajnë për varrime

Komuna e Mitrovicës, bashkë me Bashkësinë Islame në këtë qytet, ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit, për secilin qytetar që vdes. Në këtë mënyrë, përveç që ndihmohen qytetarët, ndërprehet edhe mundësia e përfitimeve pas vdekjes të pensioneve e ndihmave sociale. Zbatimi i vendimit kërkon rreth 60 mijë euro në vit. Nga Nexhmije Ahmeti më 02 qershor 2011 në ora 07:29

Avdullah Shalakut para dy muajsh i ka vdekur djali. Këtij qytetari të Mitrovicës, përveç dhimbjes që kishte për vdekjen e të birit, i është dashur të paguajë 250 euro shpenzime për ceremoninë e varrimit. “I pate, s’i pate, u desht me i dhanë, plus anëtarësinë që duhet paguar”, thotë Shalaku për Express. Mirëpo, që nga 1 maji i këtij viti, banorët e Mitrovicës nuk do të kenë fatin e Avdullahut, që krahas dhimbjes për vdekjen e ndonjë të afërmi, të merren edhe me ceremonitë e varrimit.

Tash këto shpenzime i paguan Komuna e Mitrovicës.

Halil Neziri nga fshati Tërstenë, shprehet i kënaqur me këtë vendim të Komunës, sipas të cilit, është një lehtësim për qytetarët. “Kërkush nuk mundet me ditë kur të vijë deka e mundet me të gjetë pa asnjë cent në xhep. Prandaj, Komuna ka bërë mirë që me këtë vendim, e ka marrë vetë përsipër”, thotë Halili për Express.

Kështu, ka një muaj që banorëve të Komunës së Mitrovicës, u është hequr së paku kjo barrë nga shpina. Të gjitha shpenzimet e varrimit për të vdekurin do të paguhen nga Komuna e Mitrovicës. Kjo është hera e parë që një komunë në Kosovë, vendos t’i paguajë këto shpenzime, të cilat deri më tani i kanë bartur vetë qytetarët.

Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës, Avni Kastrati, ndërkaq implementimin e tij do ta bëjë Dega e Bashkësisë Islame në Mitrovicë. Kryetari i Bashkësisë Islame në këtë qytet, Jetish Berisha, shpjegon për Express se të gjithë banorët e komunës së Mitrovicës, tash e tutje në rast vdekjeje të dikujt prej të afërmeve, nuk kanë nevojë të blejnë të gjitha ato që duhet për varrim, sepse këtë do ta bëjë Bashkësia Islame. “Tash e tutje, kur dikush vdes, duhet lajmëruar te ne, e pastaj ne merremi me të gjithë ceremoninë tjetër”, thotë Berisha për Express.

Që nga hyrja në fuqi e vendimit të kryetarit Kastrati, Bashkësia Islame në Mitrovicë ka evidentuar 36 raste të vdekjeve, e që janë mbuluar nga Komuna. Krejt ky shpenzim, tash kushton 210 euro. Me këto para që paguhen nga Komuna, mbulohen të gjitha shpenzimet për ditën e varrimit, që nga hapja e varrit, e deri te shërbimet fetare për një të vdekur mysliman. Në këto shpenzime hyjnë të gjithë qytetarët e të gjitha shtresave, qoftë i pasur, apo i varfër. Ky veprim i Komunës, sipas Berishës, është një ndihmë e madhe për qytetarët, sepse ka shumë të tillë që e kanë gjendjen e rëndë ekonomike dhe çmimi prej 250 eurove ka qenë i lartë.

“Ne kemi bërë lëshime për raste sociale, mirëpo tash është më mirë që qytetarët, së paku atë ditë, nuk e kanë edhe dertin e varrimit”, thotë Berisha. Ai shprehet se Bashkësia Islame është institucion fetar dhe jopartiak, por nuk lë pa lavdëruar gjestin e kryetarit Kastrati. Përveç kësaj, ai ka edhe një apel për kryetarët e komunave të Kosovës. “Apeloj që gjestin e Avni Kastratit ta ndjekin të gjithë kryetarët e komunave në Kosovë”, thotë Berisha. Sipas tij, të gjithë mitrovicasit duhet ta dinë se me rastin e vdekjes së të afërmeve të tyre, nuk kanë nevojë t’i paguajnë hoxhallarët, as për ritet fetare.

Për zbatimin e vendimit të vet, brenda një viti, është llogaritur se Komuna duhet të shpenzojë nga 50 deri 60 mijë euro.

Këto para, sipas zëdhënësit të Komunës, Ahmet Jashari, ata do t’i sigurojnë nga të hyrat vetanake. Gjestin e kryetarit Kastrati, zëdhënësi Jashari e quan së pari projekt human dhe njerëzor. Ndërsa me këtë vendim ai përmend edhe një varg çështjesh të tjera, të cilat zgjidhen më lehtë sesa në të kaluarën.

“Ky vendim, përveç atij human, ka edhe qëllime të tjera. Me këtë zgjidhen shumë lehtë çështja e pensioneve, ndihmave sociale, e po ashtu edhe ato zgjedhore”, thotë Jashari. Sipas tij, në të kaluarën, shumë njerëz nuk i kanë lajmëruar të vdekurit dhe kanë përfituar pensione dhe ndihma sociale, edhe pasi dikush nga të afërmit e tyre ka vdekur, duke përfituar në emër të tij disa muaj pension.

Po ashtu, Jashari përmend edhe procesin zgjedhor, ku sipas tij, tash pas këtij vendimi, personi që vdes, automatikisht hiqet nga lista zgjedhore, pasi menjëherë i jepet certifikata e vdekjes nga mjeku, që konfirmon vdekjen e personit. Ndryshe, vendimi i Kastratit po aplikohet për herë të parë në Kosovë. Ky është një bashkëpunim ndërmjet Komunës dhe Bashkësisë Islame.

Shpenzimet e varrimit

Në shpenzimet e varrimit që kushton 210 euro, hyjnë hapja e varrit, dërrasat, qefini, vendpastrimi, piramida, afishja, transporti i kufomës dhe shërbimet fetare me rastin e ceremonisë së varrimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›