E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këqyrim n’mot

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërprerë marrëveshjen 18 mujore “stand-by” me Qeverinë e Kosovës. Shkak është bërë rritja e pagave për shërbyesit civilë. Kjo nënkupton ngrirjen e fondeve prej 156 milionë eurosh. Një marrëveshje e re mund të nënshkruhet vitin e ardhshëm, por vetëm nëse FMN e vlerëson pozitivisht performancën financiare të vendit. Nga Agon Sinanaj më 02 qershor 2011 në ora 07:25

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërprerë marrëveshjen 18 mujore “Stand-by” me Qeverinë e Kosovës, pas rritjes se pagave për shërbyesit civilë. Kjo nënkupton ngrirjen e fondeve prej 156 milionë eurosh, që është dashur t’i marrë Kosova gjatë këtij viti.

Megjithatë, sipas njoftimit të FMN-së të mërkurën, me Qeverinë e Kosovës është arritur marrëveshja “monitor nga stafi”, ku deri në vitin tjetër, Fondi do ta monitorojë performancën financiare të shtetit më të ri në botë.

Në deklaratën e FMN-së thuhet se elemente të buxhetit të vitit 2011, në veçanti rritja e madhe e pagave, kanë devijuar nga programi. Si rezultat i kësaj, nuk do të përfundojë rishikimi i programit.

Shpresa e vetme është një marrëveshje e re, madje me kushte, tek në vitin 2012. Gjatë kësaj kohe, Fondi do të monitorojë vazhdimisht performancën financiare.

“Gjatë këtij misioni, personeli dhe autoritetet kanë arritur një marrëveshje në nivel të personelit mbi Programin e Monitorimit të Personelit, sipas të cilit do të krijohet një mekanizëm përcjellës, që mund të çojë në një marrëveshje të mbështetur nga FMN-ja më 2012”, thuhet në njoftimin e FMN-së.

Si rezultat i kësaj, njohësit e ekonomisë paralajmërojnë krizë të thellë financiare në vitin 2013. Sipas tyre, humbja e parë është një humbje financiare prej 156 milionë eurove në buxhetin e viti 2011. Ndërkohë, që humbje dytë është në proceset integruese të Kosovës, me theks të veçantë në anqtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qeveritarët besojnë se marrëveshja për monitorim është shumë e mundshme të realizohet dhe pas arritjes se kushteve, Kosovës t’i lëshohen fondet e premtuara nga Banka Botërore e FMN-ja.

Sipas Lumir Abdixhikut, drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest”, Kosova po futet në një situatë, ku deficiti mbetet i pambuluar.

“Për këtë drejtohemi kah bilanci bankar i Kosovës, që është 240 milionë euro para të grumbulluara nëpër vite. Këto para janë zgjidhje për këtë vit, ndoshta në vitin tjetër do të jetë zgjidhje shitja e PTK-së. Por, në periudhë afatgjatë, ne mbesim pa resurse dhe ky është dëmi që po i bëhet Kosovës”, vlerësoi Abdixhiku.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se është arritur pajtueshmëri për monitorimin e politikave ekonomike për vitin 2011 nga ana e FMN-së, kurse zbatimi i këtij monitorimi, siç tha ai, do të mundësojë vazhdimësinë e mbështetjes së Fondit.

“Marrëdhëniet e Kosovës me FMN-në jo vetëm që nuk janë shkëputur, por përkundrazi janë vendosur në bazë të një partneriteti të fuqishëm. E shpreh edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së për të marrë më shumë përgjegjësi në ruajtjen e qëndrueshmërisë makrofiskale të stabilitetit financiar, duke mos harruar asnjëherë mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Thaçi.

E Ministri i Financave, Bedri Hamza, e ka quajtur sukses pajtimin që Kosova të mbetet në marrëveshje me FMN-në, me disa kushte. Sipas tij, marrëveshja quhet “monitor nga stafi”, ndërsa parashihen dy rishikime.

“Kjo marrëveshje ka dy rishikime. I pari pritet të ndodhë në vjeshtën e këtij viti dhe nëse FMN vlerëson se janë përmbushur pushtetet e kësaj marrëveshjeje, atëherë mbi këtë bazë Banka Botërore mundet që brenda vitit 2011 të derdh pjesën e mjeteve të premtuara”, ka thënë Hamza.

Ndërkaq, pas rishikimit të dytë, i cili do të ndodh në fund të këtij viti, duke qenë në një disiplinë maksimale financiare dhe ruajtje të stabilitetit makrofiskal, respektimi i plotë i kësaj marrëveshjeje ua hap rrugën marrëveshje të reja me Fondin.

“Marrëveshja është shumë e mundshme të realizohet, mirëpo normalisht që kërkon edhe një disiplinë dhe kërkon një punë të përcjellë ditore”, ka theksuar ai.

Për më tepër, Hamza ka shtuar se kusht i kësaj marrëveshjeje është respektimi i plotë i marrëveshjes aktuale, që i ka kriteret e veta për secilën periudhë kohore, duke parë se sa duhet të jetë bilanci bankar i Kosovës e sa do të jetë niveli i shpenzimeve. Gjithashtu, në shtator duhet të bëhet një rivlerësim dhe prapë në tetor vlerësimi tjetër.

Marrëveshja për monitorim ka të bëjë me performancën e të hyrave, me ekzekutimin e buxhetit, me ruajtjen e bilancit tregtar, stabilitetin e sektorit bankar dhe me iniciativa të tjera që kanë të bëjnë me ligjet dhe çështjet sociale.

Ndërsa sa iu përket pagave, Hamza ka theksuar se kjo çështje është një kapitull i mbyllur dhe në të ardhmen nuk do të jetë temë e bisedave me Fondin dhe institucionet e tjera.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka qëndruar në Kosovë për dy javë, duke i përmbyllur bisedat me arritjen e një marrëveshjeje që quhet marrëveshje “monitor nga stafi”, e që është në fuqi deri në fund të vitit 2011.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›