E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paguajnë sigurinë

Për ta siguruar ambientin ku marrin dije, drejtori i Gjimnazit “Xhevdet Doda” ka kërkuar nga 5 euro prej secilit nxënës. Përveç punëtorëve teknikë në këtë shkollë, sigurimi nuk figuron askund. Nxënësit nuk e kanë idenë se ku kanë shkuar ato të holla, e drejtori thotë se duhet kohë derisa të përzgjidhet kompania adekuate për sigurim. Nga Lirita Halili më 22 janar 2011 në ora 09:50

Rasti i therjes me thikë, që ndodhi të enjten në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka shtyrë që nxënësit e kësaj shkolle të rrëfejnë parregullsitë e drejtorit të kësaj shkolle, Azem Jaha.

Nga mllefi për rastin që i ndodhi shokut të tyre, nxënësit janë detyruar të tregojnë se drejtori i kësaj shkolle kah fundi i gjysëmvjetorit të parë u ka kërkuar atyre të holla.

Secili nxënës i kësaj shkolle është detyruar të paguajë nga 5 euro me arsyetimin se shkolla me ato të holla do të paguajë sigurimin, i cili do të kujdeset për rendin dhe sigurinë. Megjithatë, përveç punëtorëve teknikë në këtë shkollë, sigurimi nuk figuron askund.

Njëra ndër nxënëset kësaj shkolle, e cila preferoi të mbetet anonime për shkak të frikës se mos po përjashtohet nga shkolla, tregon për Express se ajo bashkë me shokët e shoqet e klasës është detyruar që ta paguajë këtë shumë. “Ne i kemi dhënë këto 5 euro. Por, nga ajo kohë nuk kemi parë sigurim në shkollë, madje as që është fol për këtë punë”, tregon ajo për Express.

“Drejtori i ka thënë kujdestarëve të klasës që t’i japim nga 5 euro për ta marrë një kompani të sigurimit në mënyrë që të parandalohen këto eksese që po ndodhin, siç ndodhi të enjten”, pohon ajo.

Por, edhe përkundër se ajo i ka dhënë këto të holla për ta siguruar shkollën, kjo nxënëse thotë se mban mend se Ministria e Arsimit para ca vitesh ka premtuar diçka pikërisht për sigurinë nëpër shkolla.

“Ministria e Arsimit bashkë me policinë patën premtuar se do të bëjnë marrëveshje për sigurinë e shkollave. E tash ne të paguajmë të holla për këtë punë, kjo nuk është në rregull”, tregon kjo nxënëse, sipas të cilës masa e sigurisë në shkollën e saj edhe pas dhënies së të hollave është në nivel shumë të ulët.

“U ther një shok i yni, e njëjta gjë mund të na ndodhë edhe neve, nëse mbesim në duar të sigurimit në shkollë”, shprehet nxënësja e shqetësuar.

Megjithatë, sipas saj, jo të gjithë nxënësit e shkollës i janë bindur urdhrit për pagesë.

“Ka edhe nxënës të tjerë që nuk i kanë dhënë këto të holla. Megjithatë, mund ta merrni me mend secila klasë i ka përafërsisht nga 40 nxënës, vetëm gjysma t’i japin, mund ta merrni me mend sa të holla bëhen”, thotë kjo nxënëse, e cila përveç se i ka dorëzuar, nuk e di se çfarë ka ndodhur më tej me ato të holla.

Por, për këtë kërkesë që u është bërë nxënësve, Azem Jaha, drejtor i shkollës, ku të enjten ndodhi një ekses si pasojë e mungesës së sigurisë, thotë se ekziston një arsye. Sipas tij,
të hollat janë kërkuar nga nxënësit dhe janë bërë me pëlqimin e një komisioni që përbëhet nga disa prindër të formuar për këtë çështje.

“Të hollat i kemi ruajtur, kurse të hënën që shkoi e kemi hapë një tender, ku mund të konkurrojnë kompanitë e sigurimit. Konkursi përfundon javën tjetër, pastaj komisioni përzgjedh kompaninë e cila i plotëson kushtet”, sqaron Jaha për Express. Ai thotë se shkollës i duhet pak kohë derisa të përfundojë ky proces i përzgjedhjes. “Tash presim derisa të zgjidhet kompania adekuate”, pohon drejtori Jaha, sipas të cilit ato të holla që teprojnë do të përdoren për punë të tjera, gjithmonë në kuadër të shkollës.

Por, nxënësit e shkollës janë ata që nuk mund të presin. Kjo sepse ata ndihen të frikësuar pas rastit që ndodhi të enjten, kur njëri ndër nxënësit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” është therur me thikë mbrapa koke, në shpinë dhe kraharor nga një nxënës tjetër. E gjithë kjo ngjarje ishte zhvilluar gjatë orës së mësimit në klasë. Ky rast e shpjegon më së miri situatën e sigurisë që ekziston në këtë shkollë.

Sidoqoftë, gazeta Express gjatë ditës së premte është munduar të kontaktojë me këshilltarin për media të Ministrisë së Arsimit, Artan Behrami , por ai pasi ka marrë vesh se për çfarë teme bëhet fjalë, nuk e ka hapur më telefonin e tij. " Me thërrisni pas një ore", ka thënë shkurt Behrami, duke mos e hapur më telefonin gjatë gjithë ditës.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që raste të tilla, të therjeve me thikë, ndodhin nëpër shkollat e Kosovës. Vetëm në gjysmëvjetorin e parë të vitit të kaluar janë raportuar afër 210 incidente mes nxënësve, nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Shumë prej tyre edhe me pasoja të rënda. E pikërisht për këtë çështje, policia në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit para dy vitesh patën filluar aplikimin e një formë sekrete të sigurisë në shkolla. Por, edhe përkundër kësaj forme, raste të tilla po vazhdojnë të ndodhin. Drejtorët e shkollave po vazhdojnë të përfitojnë materialisht nga nxënësit në emër të sigurisë. Por, përkundër kësaj, dhuna nëpër shkolla nuk po zhduket.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›