Përfundojnë premtimet
Partitë politike kanë përfunduar fushatën elektorale në komunën e Mitrovicës, duke kërkuar votën e qytetarëve në këmbim të një jete më të mirë.
Përfaqësues të partive kryesore kanë qëndruar të premten në qytetin e ndarë, duke shkuar shtëpi më shtëpi për të kërkuar votat e mitrovicasve.
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka përmendur rritjen e pagave si arsye për të marrë edhe një herë besimin e mitrovicasve. Pastaj ka thënë se të gjithë ata që duan ta kërkojnë votën prej qytetarëve mitrovicas duhet së pari të kërkojnë falje prej tyre që kanë deklaruar se pagat nuk mund të rriten.
Nga zyrat e shoqatave të dala nga lufta, Thaçi ka rikujtuar kohën e luftës.
“Kemi rrugëtuar bashkë në istikame, kemi rrugëtuar bashkë edhe pas luftës për ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe po rrugëtojmë bashkë edhe për integrimin e vendit tonë në strukturat veri-atlantike”, ka thënë Thaçi.
Ai përsëri ka bërë fajtorë rivalët politikë për përsëritjen e zgjedhjeve, derisa për rezultatet është i bindur se përsëri do të fitojë.
“Fitorja e PDK’së është punë e kryer. Por, ju duhet edhe një herë të konfirmoni fitoren tonë të përbashkët edhe në Mitrovicë”, ka porositur Thaçi mitrovicasit.
Por, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, ka vlerësuar se lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, është duke i keqpërdorur paratë e shtetit me premtimet për rritje e pagave. “Kuleta e shtetit vazhdon të keqpërdoret nga kryeministri i shkarkuar, e jo në largim dhe nuk mund të rriten rrogat me borxhe”, ka thënë Beqiri.
Ai ka dhënë edhe parashikimet për të ardhmen politike të LDK’së. “Rugova ishte kristali i Kosovës dhe i Mitrovicës, ndërkaq e ardhmja e Mitrovicës do jetë ndryshe me Mustafën kryeministër dhe LDK’në në pushtet. Nuk do të ketë koalicion me PDK’në, andaj të punojmë jo vetëm për këto zgjedhje, por edhe për pushtetin lokal. Demokracia dhe drejtimi nga PDK nuk kanë asgjë të përbashkët”, ka theksuar Beqiri.
Edhe në ditën e fundit të fushatës, zyrtarët e LDK’së kanë përmendur se zgjedhje të reja duhet të ketë në vjeshtë.
“Të përfundojmë maratonën aspak të mirë të procesit zgjedhor dhe të përgatitemi për zgjedhjet që duhet të mbahen në vjeshtë”, ka thënë Sadri Ferati.
Edhe nënkryetarja e LDK’së, Teuta Sahatqia, ka përmendur vlerësimet e ndërkombëtarëve se më 12 dhjetor pati vjedhje industriale, me çka u dëshmua se procesi u manipulua.
“Ne duhet të kemi institucione të përkohshme, që duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të lira pas regjistrimit të popullsisë dhe ligjit të ri zgjedhor”, ka thënë ajo.
Edhe zyrtarët e AAK’së kanë vazhduar të vizitojnë veriun e Mitrovicës, ku kanë dhënë deklarata se kjo parti bën fushatë në krejt Kosovën.
Ahmet Isufi ka hedhur akuza në drejtim të PDK’së për manipulim të votave.
“Qytetarët e Mitrovicës nuk e kanë merituar këtë mundim që ua servoi partia në pushtet, duke e manipuluar votën e lirë të qytetarit”, ka thënë Isufi.
“Të gjithë duhet të kuptojnë se edhe kjo pjesë ku ju jetoni është Kosovë, andaj edhe duhet të bëhet çmos që kjo gjendje e rëndë këtu të ndryshojë rrënjësisht në të mirë.
Institucionet e vendit duhet t’i pamundësojnë strukturat paralele serbe që veprojnë këtu, ndërsa atyre 200-300 kriminelëve që veprojnë të papenguar, duhet thënë stop”.
Isudi ka hedhur akuza në drejtim të pushtetit se nuk ka bërë sa duhet në veri të Kosovës në raport me Beogradin, i cili ka investuar miliona në këtë pjesë të Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përsëritur premtimet se partia e tij do të angazhohet jo vetëm për bashkimin e qytetit, por punon për bashkimin e krejt shqiptarisë.
Pastaj e ka sqaruar pozicionin e tij në skenën politike.
“Vetëvendosje do të mbetet opozitë e fuqishme, derisa t’i heqë të gjithë këta politikanë që e kanë shitur Kosovën”, është shprehur Kurti.
“Vota për Lëvizjen Vetëvendosje është votë për parandalimin e ndarjes së Mitrovicës dhe kthimin e Kosovës në kuadër të Shqipërisë. Vetëvendosja do ta bashkojë Mitrovicën, do t’ia kthejë ushtarit pushkën, nxënësit librin dhe do t’ia kthejë Shqipërisë Kosovën”.
Kurti theksoi se programi qartë shpjegon se si duhet bërë integrimi i veriut, në bazë të cilit pushteti i Vetëvendosjes do t’i rivendosë policët dhe doganat e Republikës së Kosovës në pikat doganore 1 dhe 31.
“Nuk do të lejojë që Serbia të blejë prona të shqiptarëve, e nëse paraqiten raste kur shqiptarët detyrohen t’i shesin, ato do t’i blejë Qeveria e Kosovës, do të hapë stacione e nënstacione policore në veri me policë shqiptarë, profesionistë e patriotë, e jo me policë serbë me dy bexha, një të MUP-it serb e një të Policisë së Kosovës”.
Dyzet ekipe për Mitrovicën
Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë, sikurse edhe më parë, do të ndjekë nga afër procesin e rivotimit më 23 janar me rreth 40 ekipe.
Misioni për Vëzhgim të Zgjedhjeve do të përbëhet prej rreth 40 ekipeve me pjesëtarë të ICO-së/EUSR-së, pjesëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë, si dhe diplomatë nga vendet e tjera anëtare të BE-së dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Disa prej ekipeve të vëzhgimit do të vendosen në mënyrë statike, që do të thotë se gjatë tërë ditës do të qëndrojnë vetëm në një qendër votimi, ndërsa të tjerët do të jenë ekipe mobile që do të vizitojnë një numër vendvotimesh gjatë tërë ditës.
“Këto ekipe do t’i përcjellin të gjitha fazat e procesit në ditën e zgjedhjeve.
Përkitazi me vëzhgimet e tyre, ekipet e vëzhgimit do t’i raportojnë Qendrës Operative të Zgjedhjeve”, është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate. Komunikata sqaron se Misioni për Vëzhgim të Zgjedhjeve nuk është zëvendësim për misionin monitorues dhe se zgjedhjet do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Synimi i Misionit për Vëzhgim të Zgjedhjeve të Kosovës është që të inkurajojë zgjedhje që përmbushin standardet ndërkombëtare.
Vëzhguesit e Demokracisë
Koalicioni i OJQ’ve Demokracia në Veprim ka njoftuar se do të monitorojë procesin e rivotimit në Komunën e Mitrovicës me rreth 130 vëzhgues statik dhe 20 vëzhgues mobilë.
DV’ja po ashtu njofton se qendra e saj e komunikimit me publikun do të jetë në Prishtinë në zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ku përmes konferencave të rregullta që do të mbahen në orën 10:00; 14:00; 18:00 do të prezantojë të dhënat nga tereni mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.