E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajaziti e Idrizi para Mustafës e Zekës në PDK të Gjilanit

Këshillin Drejtues të degës së PDK-së në Gjilan e ka zënë mesnata për të zgjedhur kryesinë e re të degës, kurse i tërë procesi i votimit është përcjellë me anime, ngase është parë se për të zgjedhurin të parin e partisë do të ketë më shumë kandidatura.

Nga 25 anëtarët e Këshillit Drejtues, sa do t’i ketë dega e PDK-së, në votime kanë marrë pjesë 77 delegatë e janë kandiduar 68 kandidatë.

Deputetët Zenun Pajaziti dhe Nijazi Idrizi ia dolën të marrin më së shumti vota, 44 respektivisht 41 vota, pas tyre u radhit i riu Riad Rashiti me 39 vota, derisa kryetari i komunës Qemajl Mustafa dhe kryetari i tashëm i degës, Izmi Zeka morën nga 38 vota, raporton “Zëri”.

Pas tyre, në kryesinë e degës do të jenë edhe Sahit Abazi 37, Bujar Nevzati 35, Ejup Haziri 34, Agron Leka 33, Ekrem Kryeziu 33, Musa Nasufi 31, Florina Zymberi 30, Ilir Tahiri 29, Sabedin Kadriu 29, Shukrije Rapuca 29, Shefik Surdulli 28, Fadil Hajdari 27, Agim Brestovci 26, Bajram Shaqiri 26, Xhabir Ymeri 26, Arzije Nuhiu 25, Hajriz Ibrahimi 25, Xhezide Ismajli 25, Elisah Ymeri 24 dhe Erduan Hamidi 24 vota.

Mbledhja e Këshillit Drejtues ka nisur të ërmurën në ora 17 e ka përfunduar pas mesnate dhe burime brenda këtij këshilli kanë bërë me dije se qysh në fillim ka pasur tensione, mospajtime e akuza e në tërë këto zhvillime ka qenë i pranishëm edhe koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, i cili nuk e la pa theksuar se PDK po rinohet me emra të rinj.

Edhe Izmi Zeka, kryetar aktual i degës, ka kërkuar që të ruhet uniteti brenda PDK-së, duke thënë fjalë miradije për PDK-në, por më i pakënaqur me nisjen e punimeve është deklaruar Qemajl Mustafa, të cilit nuk i ka pëlqyer mënyra se si është ftuar në mbledhje, nëpërmjet një sms-i në celular, por pa pasur ndonjë takim paraprak që do të bënte që mbledhja e këshillit të ketë rrjedhë më normale.

Doli që në këtë mbledhje shtatë delegatë ishin tepër, por ata kishin marrë ftesë për të qenë pjesë e kuvendit, ngase kishin pasur pikë të barabarta, andaj fillimisht u lansua mundësia që të hidhet shorti, gjë të cilën e ka përkrahur edhe Qemajl Mustafa, por kishte edhe të tjerë që mendonin ndryshe, andaj u desh që kryesia e vjetër të tërhiqet dhe u vendos që të gjithë të jenë delegatë, andaj në vend të 71 delegatëve u bënë 77.

Anëtarët e ri të kryesisë së PDK-së pritet të mblidhen për të zgjedhur kryetarin, por deri më tashti nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të mund të mblidhej kryesia e re. Kandidatë më të mundshëm për të udhëhequr degën pritet të jenë pikërisht emrat më të njohur të këtij subjekti politik në Gjilan, deputetët Zenun Pajaziti e Nijazi Idrizi dhe kryetar i Gjilanit Qemajl Mustafa e kryesuesi i Asamblesë Komunale dhe zëvendësministri, Izmi Zeka./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›