E Martë, 3 Nëntor 2026

“Paketa e Maleve”, Musabelliu: Zonat me përparësi zhvillimi do të shpallen nga bashkitë

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Europiane projektligjin “Për paketën e maleve”.

Ai u shpreh se, “Paketa e Maleve është një nismë e qeverisë, e cila synon pikë së pari zhvillimin e zonave malore”.

Kjo paketë, theksoi ai, “synon transferimin e pronës shtetërore tek të gjithë personat që njihen si posedues jo faktik, në bazë edhe të parashikimeve të legjislacionit tjetër sektorial”.

Por, shtoi ai, “gjithashtu ky pr/ligj, me një nen specifik synon të trajtojë edhe atë që ne e njohim si e drejtë zakonore që të njohë si tituj pronësie edhe ato tituj, apo ato dokumente që janë të vjetra, por që provojnë lidhjen e një familjeje të caktuar me një sipërfaqe të caktuar toke në zona specifike malore”.

“Ky pr/ligj synon një zgjidhje shumë të thjeshtë për këtë çështje dhe një rol shumë të rëndësishëm i jep organeve të pushtetit lokal, të cilat falë afërsisë që kanë gjithë kohës me komunitetin janë edhe organe, të cilat do të identifikojnë poseduesit faktikë, do t’i miratojnë me një vendim të këshillit bashkiak”, tha ai.

Musabelliu theksoi se, “do të jenë po bashkitë ato që do të shpallin zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, të cilat do t’ia propozojnë ministrit të Pushtetit Vendor dhe me një VKM do të miratohen”.

Për të drejtën e pronës, Musabelliu tha se, “pronat që mund të transferohen përmes këtij ligji duhet të plotësojnë disa kritere. Duhet të jenë së pari pasuri shtetërore. Duhet të mos jenë pjesë e pronave publike të patjetërsueshme. Duhet të mos i shërbejnë operacionalitetit të Forcave të Armatosura. Duhet të mos rëndojnë mbi këto pasuri të drejta të palëve të treta. Duhet të mos jenë objekt i fitimit të pronësisë sipas ligjeve të tjera të posaçme”.

Ai theksoi edhe afishimin publik që do të bëhet në organet e pushtetit vendor.
“Në bazë të këtij ligji nëse do të ketë një pretendim nga një person i tretë, ky pretendim do të provohet dhe nëse qëndron kjo pronë nuk do të transferohet”, u shpreh Musabelliu.

Pra, në këtë kuptim, tha ai, “është pothuajse e pamundur që të cenojë të drejtën e pronës miratimi i këtij pr/ligji”.

Sa i përket çështjes së përputhjes me marrëveshjen e Stabizilim-Asociimit, Musabelliu tha se, “prona ose pasuria publike përmes këtij ligji nuk jepet përmes ankandeve apo përmes parimeve të konkurrueshmërisë për vetë faktin e lidhjes që kanë personat që mund të jenë përfitues të këtyre pasurive me këto pasuri”.

Sa i përket çështjes së konkurrencës, zv/ministri theksoi se, “ky pr/ligj parashikon disa lehtësi fiskale për një numër të kufizuar biznesesh që do të zhvillohen në zonat që do të shpallen si me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore. Nuk besoj se ka një ndikim shumë të lartë mbi konkurrencën për vetë faktin se janë zona që ne po synojmë t’i zhvillojmë me një aktivitet ekonomik deri diku të pazhvilluar dhe rrjedhimisht efekti do të ishte tepër pozitiv pasi do të tërhiqte investime në ato zona dhe do të ndikonte në një zhvillim dhe në rritjen e punësimit në to”.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku u shpreh se është në parim kundër ligjeve që kanë garë të mbyllur.

“Ky është ligj me garë të mbyllur, pa garë. Neni 71 i MSA-së është specifikisht i qartë për konkurrencën e hapur dhe ky pr/ligj cenon nenin 71 të MSA-së. Cenimi i nenit 71 të MSA-së vjen nga dy arsye kryesore”, tha Tabaku.

“Së pari, ju thoni se me këtë pr/ligj të gjithë subjektet që i kanë poseduar pronat në mënyrë ilegale për 10 vjet tani mund t’i përfitojnë dhe ta blejnë tokën me një tarifë prej 1 euro”, tha Tabaku.

“Së dyti, këtu nuk respektohet një procedurë e qartë, procedura që ka ligji për regjistrimin dhe mbrojtjen e pronës private. Ju këtu praktikisht krijoni një mekanizëm paralel për legalizimin e këtyre pronave, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka 3 vendime vijuese sa i përket çështjes së pronave dhe vetë me ligjin që ju keni miratuar me ligjin e 2020-ës, ky ligj bie në kundërshtim sepse është një procedurë komplet e re për pronën private krahas procedurës që ka ligji aktual sektorial që merret me pronën”, tha Tabaku.

Së treti, theksoi ajo, “këtu ka një pabarazi shumë të dukshme sepse këtu praktikisht ju nuk hapni një garë. Mund të ketë disa raste që mund të ketë qenë posedues, por mund të ketë raste të tjera ku këtë paketën e maleve mund të dojë ta përfitojë një investitor i huaj, një i diasporës”.

Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi projektligjin “Paketa e Maleve” vetëm me votat e mazhorancës. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›