E Martë, 3 Nëntor 2026

Reforma e ujit, Jahja: U ulën detyrimet e prapambetura

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Klevis Jahja, deklaroi sot se riorganizimi i sektorit solli edhe përmirësimin e gjendjes financiare të shoqërive.

Në një intervistë në medie, Jahja u shpreh se edhe detyrimet e prapambetura u ulën.

“Masat që u morën synuan ndër të tjera ndalimin e krijimit të detyrimeve të reja që e kishin vendosur sektorin në një rreth vicioz. Në këtë kuadër, gjatë formimit të shoqërive rajonale, u paguan detyrimet e sigurimeve që mund të ishin të prapambetura, detyrimet e punonjësve dhe aktualisht nuk ka krijime të detyrimeve të reja”, tha Jahja.

Gjithashtu, sipas tij, gjatë vitit 2024 u arrit që në nivel sektorial të paguhej 99% e faturës elektrike. “Aftësia paguese e shoqërive të mëparshme ka qenë 45-68 për qind të faturave mujore”, u shpreh ai.

Jahja vuri në dukje se aktualisht janë krijuar 14 shoqëri rajonale, ndërsa Tirana, Kamza dhe Vora funksionojnë si të ndara por mbahen nën monitorim.

“Kemi konkluduar deri tani 14 shoqëri rajonale. Drejtoritë e Tiranës, Kamzës dhe Vorës operojnë si individuale, por janë në monitorimin e ministrisë. Kjo reformë është proces, dhe vetë marrëveshjet me shoqëritë rajonale kanë afat 10-vjeçar dhe më pas do të shihet ecuria për të përcaktuar reformimin e sektorit“, shtoi Jahja.

Duke u ndalur te investimet e reja, Jahja tha se gjatë vitit 2024 kanë nisur rreth 35 projekte që prekin 29 bashki.

Për taskforcën për ujërat e ndotura, Jahja u shpreh se shumë biznese i janë bashkuar kësaj nisme. Sipas tij, taskforca do të vazhdojë monitorimin edhe gjatë vitit 2025. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›