Programi i 11 majit, Berisha: Ulim çmimin e naftës dhe energjisë elektrike

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se programi elektoral për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore do të fokusohet tek dhimbjet e shqiptarëve.
Në këtë drejtim, Berisha premtoi se në tre muajt e parë nuk do ketë shqiptar që nuk do marrë 200 euro minimum jetik, ndërsa rroga minimale nuk do të jetë nën 500 euro.
Po ashtu Berisha premtoi se rrogë mesatare nuk do ketë nën 1200 euro.
“Nuk ka detyrim më madhor se sa taksat që merr prej qytetarëve, t’ua kthesh atyre direkt në mirësi, në mirëqenie, t’i çlirosh ata nga vuajtja e blerjes së ushqimeve, ilaçeve, etj”, tha Berisha.
Karta e konsumatorit është një tjetër pikë e këtij programi, për të cilën Berisha theksoi se “qytetarët do të marrin mbrapsht TVSH-në që paguajnë për ushqimet, e llogaritur nga ekspertët 450 euro me kartën e konsumatorit”.
“Ilaçet do të jenë krejt të tjera. Nuk do mund të shiten ilaçe, të cilat kanë çerek apo gjysmë efekti siç ndodh tani. Qeveria do kompensojë çdo rritje, por ilaçet do jenë cilësore ama, nuk do jenë një mashtrim i përditshëm për të sëmurët. Se prapë jemi tek dhimbja, aty e nisim ne. Po si mundet një shoqëri, një komb me një buxhet 7-8 miliardë, të lërë një grup njerëzish pa ilaçe se ilaçet e tyre kushtojnë? Ka ilaçe që kushtojnë shumë, por nuk mungonin në mënyrë absolute më parë”, shtoi ai.
Berisha premtoi se nafta nuk do të jetë asnjë qindarkë më shtrenjtë se në Kosovë, ndërsa energjia elektrike do ulet në 7 lekë dhe për biznesin do jetë 6 lekë, ose tre herë më lirë.
Kryetari i PD-së theksoi po ashtu se pronarët dhe të përndjekurit brenda mandatit të parë do marrin çdo dëmshpërblim që u takon.
“Ne shkojmë vërtet si koalicioni më i gjerë në histori, ama shkojmë me programin më të mirë që ka njohur Shqipëria ndonjëherë në ekzistencën e saj”, shtoi ai.
Duke folur për bujqësinë, Berisha siguroi se “do bëjmë gjithçka që prodhimet bujqësore dhe prodhimet e saj ‘Made in Albania’ të mbushin dyqanet e Shqipërisë dhe të eksportojmë në botë”.
Shqipëria superfuqi energjetike në rajon ishte një tjetër pikë e programit e prezantuar nga Berisha.
“Ne do bëjmë gjithçka që pasuritë natyrore të këtij vendi të shndërrohen në mirësi për qytetarët shqiptarë. Të nxirren, të zbulohen, të përpunohen në vend dhe ‘Made in Albania’ do jetë krenaria jonë kombëtare. Shqipëria ka fushën e naftës më të madhe në botë onshore, ka rezerva të pakrahasueshme. Nëse ka një pasuri të pakufizuar Shqipëria, e ka në fushën e energjisë. Ne jemi vendi me ditët më të shumta me diell në rajon dhe vendi që nga energjia diellore kemi gjithsej një prodhim prej 50-60 megavatë”, shtoi ai.
Berisha theksoi se “ne do investojmë dhe do ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi rajonale energjetike”.
/m.m/j.p/