E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketa e re fiskale ndez debat/ PD akuzon qeverinë: Po falin 2 miliardë euro për evazorët

Partia Demokratike ka shprehur një qëndrim të ashpër kundër dy projektligjeve të qeverisë për faljen e detyrimeve dhe paqen fiskale, duke i cilësuar ato si një goditje direkte ndaj bizneseve të ndershme dhe një ndihmë për evazorët fiskalë.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Eno Bozdo foli mbi projektligjet e fundit të miratuara nga qeveria për faljen e detyrimeve dhe “Paqen Fiskale”, ku u shpreh se këto nisma dëmtojnë rëndë bizneset e ndershme dhe favorizojnë evazionin fiskal dhe pastrimin e parave të pista.

Ai kritikoi mungesën totale të transparencës nga ana e qeverisë dhe theksoi se qëllimi i deklaratës së tij është të ndërgjegjësojë publikun dhe të bëjë thirrje për reagim ndaj këtyre praktikave që, sipas tij, penalizojnë biznesin e ndershëm dhe forcojnë interesat e evazorëve.

Pjesë nga deklarata:

Me një të rënë të lapsit, deputetët socialistë miratuan në komisionet parlamentare projektligjin për faljen e detyrimeve, i cili u fal mbi 2 miliardë euro bizneseve që kanë përfituar pa të drejtë nëpërmjet evazionit fiskal, kontrabandës, korrupsionit, shmangies së pagesës së TVSH-së, akcizave, detyrimeve doganore etj.

Kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike dhe opozitës për emrat e kompanive që përfitojnë më shumë nga kjo falje, Ministri i Financave iu përgjigj se këto emra nuk i kishte.

Konstatimit të deputetëve të Partisë Demokratike se kjo falje prej 2 miliardë eurosh dëmton rëndë të gjitha bizneset e ndershme që paguajnë deri në taksat dhe tatimet, dhe se praktikisht është një ftesë e hapur për cilindo biznes të bëjë sa më shumë evazion dhe korrupsion në pritje të amnistisë së radhës, përfaqësuesi i qeverisë nuk dha asnjë shpjegim.

Pyetjes tjetër të deputetëve opozitarë, nëse ndër përfituesit e kësaj amnistie ka persona që vazhdojnë të marrin tendera apo prokurime publike sepse nuk shkon që hajduti të marrë përsëri financim nga paratë publike përsëri përfaqësuesi i qeverisë nuk u përgjigj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e tij vjetor për vitin 2024, konstaton se administrata tatimore dhe ajo doganore ka bërë fare pak përpjekje për të rikuperuar këtë borxh. KLSH konstaton se në tatime gjatë vitit 2023 ky borxh u rrit me 400 milionë euro. Pra, u falën praktikisht 400 milionë euro në vitin elektoral 2023, por për këtë çështje nuk morëm asnjë shpjegim.

Ndërkaq, projektligji tjetër, ai i “Paqes Fiskale”, miraton një mekanizëm ku një biznes, nëse deklaron paraprakisht për vitin 2026 një fitim 18% më të madh se ai i vitit të shkuar, për çdo fitim mbi 18% do të taksohet me vetëm 5%, dhe jo me normën e zakonshme të tatimit. Kjo është një pabarazi dhe aspak e ndershme, sepse ky mekanizëm hap jo thjesht një rrugë, por një autostradë të tërë për evazion fiskal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›