Pakistan: Raportet me SHBA presin “rivlerësim”

Ministrja e jashtme e Pakistanit, Hina Rabani Khar, ka deklaruar se raportet me Shtetet e Bashkuara mbesin në pritje të “rivlerësimit” pas sulmit ajror kufitar të NATO-s.
Ajo ka thënë sot se derisa procesi i rivlerësimit nuk është kompletuar, ne nuk mund ta fillojmë riangazhimin” me Uashingtonin.
Megjithatë, ministrja Khar ka vlerësuar se aleanca e gjatë me Amerikën ishte e rëndësisë jetësore për të dy vendet.
Nga sulmi i NATO-s më 26 nëntor në kufirin me Afganistanin, u vranë 24 ushtarë pakistanezë.
Kjo shkaktoi krizë në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit, që kishte përshkallëzuar në muajin maj të vitit të kaluar, kur forcat speciale amerikane e vranë Osama bin Ladenin në Pakistan.