E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistan, katastrofa merr përmasa apokaliptike

Përmbytjet Vendi kërkon ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në këtë situatë të paprecedentë

Në një apel dramatik, Kryeministri pakistanez, Yusuf Raza Gilani, i është lutur bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë të menjëhershme në luftën kundër katastrofës së përmbytjeve. “Humbjet në jetë njerëzish dhe në infrastrukturë janë ‘gjigante’”, tha Gilani në një fjalim drejtuar kombit. Pakistani është goditur nga përmbytjet më të rënda në historinë e tij. Drejtori i programit të OKB-së për ushqimin në botë, Wolfgang Herbinger, ka marrë në mbrojtje qeverinë në Islamabad. “Një katastrofë e tillë vendos para një sfide të madhe çdo qeveri në botë”, tha ai për. Veç kësaj, qeveria pakistaneze nuk disponon mjete të mjaftueshme financiare për të organizuar më mirë aksionet e ndihmës. Sipas Herbinger, bashkësia ndërkombëtare mund të kontribuojë për më shumë stabilitet politik në vend, duke mbështetur rindërtimin. Shumë pakistanezë nga zonat e përmbytura e akuzojnë Presidentin Asif Ali Zardari se gjatë udhëtimit të tij në Europë la në baltë vendin e tij. Nga reshjet e monsunit, sipas autoritetit pakistanez për mbrojtjen nga katastrofat, janë prekur 12 milionë veta. Më shumë se 1600 persona kanë humbur jetën.

Në jug të Pakistanit, gati gjysmë milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre pas shirave të dendur që kanë përmbytur fshatra të tërë. Ushtria dhe flota detare po mundohen të evakuojnë njerëzit në zonat e ulëta përgjatë lumit Indus, pasi toka të tëra agrare janë përmbytur. Inxhinierët thonë se digat e mëdha në lumin Indus në provincën jugore të Sindhidt kërcënohen ende nga shirat.
Meteorologët parashikojnë reshje të dendura për ditët e ardhshme dhe në veriperëndim të vendit niveli i ujit po rritet sërish.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë shtetit, është kritikuar për largimin e tij në një kohë kur 12 milionë pakistanezë po vuajnë pasojat e përmbytjeve të mëdha. Në një intervistë për BBC-në tha se Kryeministri i tij po drejtonte përpjekjet humanitare.
Shumë nga të shpërngulurit janë të zemëruar dhe kërkojnë të dinë se pse Presidenti Asif Ali Zardari ka zgjatur vizitën e tij jashtë shtetit në këtë kohë krize, thonë korrespondentët.

Në një mbledhje të kabinetit, Kryeministri Yousuf Raza Gilani u tha ministrave të përshpejtojnë përpjekjet për ndihmat humanitare. Ushtria insiston se ka nisur një operacion aktiv shpëtimi dhe ka mundur të depërtojë te të prekurit nga përmbytjet. Por mijëra të shpërngulur jetojnë në kampe dhe ende presin për ushqim dhe ujë. Manuel Bessler, shefi i zyrës se koordinimit të çështjeve humanitare të OKB-së në Pakistan, i tha BBC-së se kërkesa më e lartë ishte për strehim. “Një nga sfidat është strehimi, sidomos kur njerëzit kanë humbur gjithçka. Për t’i strehuar ata në ditët apo javët e ardhshme do na duhen çadra, shtresa e mbulesa dhe kjo do të jetë e vështirë për ne kur merr parasysh kërkesat e mëdha”, thotë zoti Bessler.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›