Pakistan, lirohet e mitura që akuzohej për blasfemi

Një gjykatë pakistaneze ka liruar me kusht të miturën e krishterë që akuzohej për blasfemi.
Gjykatësi Muhamed Azam Khan ka urdhëruar lirimin e Rimsha Masihit, e cila është arrestuar më 16 gusht në Islamabad dhe është akuzuar për djegie të faqeve të Kuranit.
E mitura duhet të paguajë 10,500 dollarë për tu liruar nga burgu ndërkohë që mediat lokale theksojnë se mbetet e paqartë nëse familja e varfër e Rimshës do të jetë në gjendje të paguajë shumën.
Blasfemia është çështje shumë e ndjeshme në Pakistan dhe dënohet me vdekje.
Grupet për të drejtat e njeriut u kanë bërë thirrje autoriteteve pakistaneze të reformojnë ligjet e blasfemisë, duke thënë se ato shpesh keqpërdoren për të zgjidhur hakmarrje personale.
Ndërkohë rasti i Rimshës ka shkaktuar zemërim te komuniteti ndërkombëtar.