Pakistan, të premten, ditë nderimi për Profetin Muhamed

Qeveria në Pakistan u ka bërë thirrje myslimanëve në këtë vend, që këtë të premte ta shndërrojnë në një ditë zyrtare të “shprehjes së dashurisë për Profetin”.
Kjo lëvizje po bëhet në përgjigjje të një filmi të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, që ka shkaktuar zemërim në mesin e myslimanëve në mbarë botën, për fyerjen e Profetit Muhamed.
Disa parti islamike në Pakistan kanë bërë thirrje për protesta ditën e premte, për të shprehur zemërimin e tyre kundër filmit me titull “Pafajësia e Myslimanëve”.
Afro 20 persona janë vrarë në protestat në disa vende islamike, që kur filmi ishte publikuar në YouTube.
Tashmë disa shtete e kanë bllokuar aksesin në këtë faqe në Internet.