E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia nuk heq dorë nga marrëveshja detare me Shqipërinë

Athina zyrtare nuk heq dorë nga marrëveshja për ujerat detarë më Shqipërinë, e ndërsa duket se kjo do të jetë edhe cështja kryesore e diskutimit gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, në Greqi. Dimitris Avramopoulos, Ministri i Jashtëm grek, ndërsa ka raportuar për punën e tij në parlamentin grek ka theksuar se cështja e marrëveshjes së vitit 2009 duhet të zgjidhet duke aplikuar të gjithë kushtet që janë caktuar.
 

“Mos harroni, problemi është aty, brenda Shqipërisë, dhe kur them kështu jam duke folur për marrëveshjen e delimitimit të zonës detare. Unë mendoj se është në interesin strategjik të dy vendeve për ta mbyllur këtë çështje në pritje, sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe vlerësojmë deklaratat e kohëve të fundit që vijnë nga Tirana” u shpreh ai.
 

Pavarësisht se Avramopoulos tha se Greqia kërkon të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, ai pranoi se marrëdheniet me Shqipërinë kohët e fundit kanë pasur një krisje.
 

“Për këtë arsye unë kam ftuar homologun tim për të vizituar Athinën, së shpejti dhe ai ka konfirmuar vizitën e tij. Një faktor i rëndësishëm në këtë përpjekje është sigurisht prania e minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, të drejtat e të cilit duhet të respektohen. Perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe progresi i saj është një garanci shtesë në këtë drejtim” sqaroi Ministri grek.
 

Ndërkohë sa i përket edhe projektit të gazsjellësit TAP që pritet të kalojë në tre vende europiane, Shqipëri -Greqi dhe Itali dhe për të cilën duhet edhe një marrëveshje trepalëshe, Avramopoulos tha se kjo do të sillte marrëdhëniet mes dy vendeve edhe në nivel strategjik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›