Pakistani bllokon BBC-në

Presidenti i shoqatës kabllore të Pakistanit, Khalid Arain, tha se vendimi u zbatua pasi BBC-ja shfaqi dokumentarin, "Pakistani sekret", më 23 nëntor.
Në faqen zyrtare të internetit, BBC thotë se dokumentari dy pjesësh hulumton akuzat nga zyrtarët e CIA-s dhe diplomatët perëndimorë se Pakistani po dështon në kryerjen e angazhimeve të veta në luftën kundër terrorizmit.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e kanë kritikuar Pakistanin që ka refuzuar te ketë për synim kryengritësit afganë që po e shfrytëzojnë këtë territor për sulme ndaj NATO-s në Afganistan.
BBC-ja e dënoi këtë ndërhyrje në një deklaratë, duke thënë se "kërcënon pavarësinë editoriale dhe ndalon publikun që të ketë qasje në shërbimin e paanshëm të lajmeve ndërkombëtare të BBC-së".
Në anën tjetër, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje për vendimin e Pakistanit që të bojkotojë konferencën ndërkombëtare për të ardhmen e Afganistanit, në qytetin gjerman të Bonit.
Pakistanezët u larguan nga kjo konferencë, si reagim ndaj një sulmi ndërkufitar ajror nga forcat e NATO-s, që vrau 24 ushtarë pakistanezë.
Pakistani ka akuzuar NATO-n për agresion në këtë incident, ndërsa SHBA-ja e ka quajtur ngjarjen "tragjike" dhe është zotuar për hetime.