E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani vazhdon bllokadën ndaj NATO-s

Kryeministri pakistanez, Jusuf Raza Gilani, theksoi se bllokada e rrugëve të furnizimit të NATO-s për në Afganistan, që Pakistani e kishte ndërmarrë në shenjë hakmarrje ndaj sulmeve vdekjeprurëse me helikopterë të NATO-s në territorin e tij, me gjasë do të vazhdojë edhe për disa javë.

Në një intervistë për BBC, Gilani ka paralajmëruar se Pakistani mund të ndërmarrë edhe masa të tjera ndëshkuese, përfshirë edhe mundësinë e mbylljes së hapësirës ajrore për Shtetet e Bashkuara, një lëvizje që edhe më tepër mund ta komplikoj furnizimin e forcave të NATO-s në Afganistan.

Gilani tha po ashtu se as Pakistani, e as Shtetet e Bashkuara, nuk i besojnë njëra – tjetrës në luftën kundër militantëve islamikë dhe se Islamabadi do ta mbajë bllokadën në pikat kufitare për në Afganistan, derisa të rishkruhen rregullat e angazhimit.

“Po, ekziston hendek i besueshmërisë. Ne po punojmë së bashku dhe ne ende nuk i besojmë njëri-tjetrit. Mendoj se ne duhet t’i përmirësojmë raportet tona, në mënyrë që për rezultate më të mira, ne duhet të kemi më tepër besim në njëri-tjetrin”, tha Gilani.

Raportet aktualisht të ndjeshme të Pakistanit me Shtetet e Bashkuara ishin lëkundur edhe më shumë në muajin maj të këtij viti, kur forcat speciale të Shteteve të Bashkuara e vranë liderin e Al-Qaedës, Osama bin Laden, afër Akademisë ushtarake të Pakistanit, pa e njoftuar Islamabadin ose autoritetet ushtarake të Pakistanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›