Pakti PD-PS, Fule: Hap para për integrimin
TIRANË Komisioneri Europian i Zgjerimit, Stefan Fule ka përshëndetur dje përmes një deklarate zyrtare, marrëveshjen e arritur mes dy forcave kryesore në vend. “Këto zhvillime, së bashku me rifillimin e plotë të punës parlamentare në shtator, shënojnë një hap të vendosur drejt normalizimit të marrëdhënieve politike në vend dhe pritet të shënojnë fundin e ngërçit politik. Këto janë elemente të rëndësishme të përpjekjeve të reja për të ecur përpara me reformat e rëndësishme dhe për të plotësuar 12 prioritetet kyçe të vendosura në Opinionin e Komisionit Evropian 2010 për aplikimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Unë inkurajoj fort mazhorancën dhe opozitën t'i çojnë më tej këto zhvillime pozitive, duke rinisur dialogun politik, duke lejuar funksionimin siç duhet të institucioneve kyçe, veçanërisht atë të Parlamentit, dhe për të arritur rezultate konsensuale në reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias”, - thuhet në deklaratën e Fules.