Zbulohet “pazari” mes Topallit dhe Ruçit për anëtarët e BSH-së
Biseda e plotë e Konferencës së Kryetarëve, ku Topalli, Ruçi, Patozi, Dokle e Spaho ndajnë tri vendet e Bordit drejtues të Bankës së Shqipërisë.
Topalli: Zoti Patozi ka bërë marrëveshjen. Ai ka thënë që votat e mazhorancës do të jenë për zonjën Meksi. Ne e mbajmë fjalën. Ne një herë flasim, nuk dalim nga fjala
Patozi: Oferta është shumë e pastër. Dy maxhoranca dhe një opozita, sepse nuk mund ta ndajmë dot një e gjysmë.
Dokle: Sa të lehtë e keni. Ne kemi kërkuar tri dhe na duket fare pak ajo që ju thoni se opozita do të marrë vetëm një.
Zbardhet marrëveshja mes PD-së e PS-së për ndarjen e anëtarëve të Bordit të Bankës së Shqipërisë, e cila ishte çështja e parë nga ku nisi pakti për komisionin e reformës zgjedhore, votimin e ligjeve me 3/5-at dhe reformën parlamentare. Votimi i Ermelinda Meksit para dy javësh në Kuvend habiti jo pak në atë kohë, por pakkush i kushtoi rëndësi pasi në publik të dyja partitë e mëdha vijonin të mbeteshin larg konsensusit. Por, në bazë të transkriptit të mëposhtëm zbulohet se bisedimet për një ndarje të 3 vendeve bosh në bordin e BSH-së kanë nisur qysh më 31 tetor dhe kanë vijuar më 3 nëntor në mbledhjet e konferencës së kryetarëve. Në të dy rastet kemi të bëjmë me një diskutim fare të hapur në terma ‘të jap-më jep’ një vend apo dy në një nga institucionet kushtetuese të vendit. Gjithsesi pazari jo dhe aq i kënaqshëm për PS-në është mbyllur pas disa replikave mes Ruçit, Topallit dhe Spahos, ku në thelb të tij ka qenë oferta e PD-së për t’u lënë një vend socialistëve, ndërsa këta të fundit kërkonin më shumë me arsyetimin se ‘në nëntë anëtarë po na jepni një’. Në të vërtetë, Kuvendi kishte të drejtën të zgjidhte tre anëtarë dhe PD-ja, sipas traditës parlamentare dhe jo sipas ndonjë ligji, i la një vend opozitës.
Në mbledhjen e dytë, atë të datës 3 nëntor, zbulohet dhe një detaj tjetër; ai i mosbesimit të Ermelinda Meksit të PS-së për lënien e mandatit të deputetit para se Kuvendi ta votonte. Por edhe kjo pengesë kaloi duke bërë një shkelje të vogël ligjore ashtu siç pranojnë vetë anëtarët e Konferencës së Kryetarëve, duke bërë dy shkresa; e para që Meksi pranonte ofertën për detyrën e re, dhe e dyta, të bënte një shkresë tjetër ku jepte dorëheqjen që nga momenti i zgjedhjes. Shkelja qëndron në faktin se Meksi u zgjodh si anëtare e Bordit të BSH-së duke qenë deputete, pasi nuk kishte besim se do të merrte dhe votat e PD-së.
Mbledhja e datës 31 tetor
Jozefina Topalli- Në bazë të ligjit, Kuvendi ka të drejtë të emërojë në Bordin e Bankës së Shqipërisë tre anëtarë. Maxhoranca ka vendosur që t’i kërkojë edhe opozitës kandidatin e saj. Do t’i ndajmë këto vende për tri partitë politike, një PD-ja, një LSI-ja dhe një PS-ja. Kjo është një tjetër ofertë e mazhorancës. Nga tri vende që ka parlamenti, do të ndahen më tresh; një PD-ja, një LSI-ja dhe një PS-ja. Kërkojmë përgjigje për këtë.
Gramoz Ruçi: Nuk e mora vesh...
Jozefina Topalli: Po ju bëjmë një ofertë tjetër shtesë.
Gramoz Ruçi: Cila është oferta?
Jozefina Topalli: Nga tri vende që ka parlamenti, një do ta ketë PD-ja, një PS-ja dhe një LSI-ja, nëse dëshiron. Në vitin 2013 do të ketë edhe dy vende të tjera.
Gramoz Ruçi: Sa janë, tri vende, jo pesë?
Jozefina Topalli: Sot për sot, Kuvendi ka tri vende. Në vitin 2013 do të ketë dy vende të tjera. Nga këto tri vende, maxhoranca i ofron opozitës një vend tjetër. Një e mban për vete, një opozitës dhe një LSI-së. Kjo është oferta.
Gramoz Ruçi: Atëherë, zonja kryetare, të dyja vendet i ka maxhoranca dhe opozitës i lini një vend. Gjërat nuk ndahen kështu. Të paktën reciprocitetin duhet ta zbatoni. Së dyti, pavarësinë e organeve kushtetuese duhet ta vlerësoni. Së treti, ofertën ne ua kemi bërë para se të na e bëni ju. Ju kemi thënë që ne, nga nëntë veta minimumi, kërkojmë vullnetin tuaj për tri veta.
Edmond Spaho: Në vitin 2005, nga nëntë veta, tetë i keni pasur ju dhe PD-së i dhatë vetëm një. Unë e kam lajmëruar nënkryetaren e komisionit të Ekonomisë, që një numër anëtarësh të Këshillit Mbikëqyrës së BSH përfundojnë mandatet, për rrjedhojë do të duhet të jepen propozimet, pasi edhe Kuvendi ka disa vende për të plotësuar. Janë tri vende për t’u plotësuar nga ana e Kuvendit. Skemën, një nga PD-ja, një nga PS-ja dhe një nga LSI-ja ia kam sugjeruar asaj ditën e enjte dhe të premte, madje kam kërkuar propozimin me shkrim të mbështetur nga 28 deputetë dhe ramë dakord që ditën e hënë....
Gramoz Ruçi: Nuk e bën ti ndarjen.
Edmond Spaho: Unë flas në bazë të përfaqësisë së mazhorancës.
Gramoz Ruçi: Edhe unë flas në emër të opozitës dhe nuk di asgjë për këto që po flisni ju, zoti Spaho.
Edmond Spaho: Jo, nuk e kam bërë unë ndarjen, madje ke bërë edhe diskutime për këtë çështje zoti Ruçi, kështu që mos më thuaj: “Nuk e bën ndarjen ti”. Ti ke biseduar me drejtuesit e PD-së dhe keni rënë dakord. Ata më thanë mua që të veproj në këtë mënyrë për këtë çështje.
Gramoz Ruçi: Ti nuk duhet të merresh me këtë punë.
Edmond Spaho: Nuk është serioze që të flasësh kështu.
Gramoz Ruçi: Me mua askush nuk ka diskutuar për këtë çështje.
Edmond Spaho: Të mbaroj unë, pastaj vazhdo ti me çështjet e tua. Unë po të them ato që kam bërë unë. Çfarë do të bëni ju, është puna juaj. Kam rënë dakord me nënkryetaren tuaj dhe sot pasdite do të shqyrtojmë kandidaturat e Këshillit të Ministrave dhe të Kuvendit për vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kaq kisha.
Astrit Patozi: Sa për një sqarim, zoti Ruçi, sepse jemi duke bërë një debat të panevojshëm. Flitet për tri kandidatura për Bordin e Bankës së Shqipërisë, jo për më shumë. Pra, Kuvendi ka tri kandidatura për të propozuar, sepse tri anëtarëve të bordit u ka mbaruar mandati. Oferta është shumë e pastër. Dy maxhoranca dhe një opozita, sepse nuk mund ta ndajmë dot një e gjysmë, pra një PD-ja, një LSI-ja dhe një PS-ja, sipas grupeve parlamentare. Unë nuk besoj se është vendi këtu që opozita të thotë se ka bërë një kërkesë dhe ka kërkuar tri veta, e pse të mos plotësohet kjo kërkesë. Nuk i shkon një opozite propozimi i Këshillit të Ministrave, sepse ka edhe Këshilli i Ministrave për të bërë tri propozime, të cilat zoti Berisha i ka bërë tashmë. Nuk besoj se opozitës i shkon që Këshilli i Ministrave të propozojë kandidaturat e Partisë Socialiste, apo jo?
Gramoz Ruçi: Unë ju respektoj juve si përfaqësues i mazhorancës, por edhe ju duhet të më respektoni dhe, në rrugë institucionale, të më ktheni përgjigje për kërkesën që unë kam bërë apo për ofertën që ti ke. Ti më thua që kryetari i komisionit të Ekonomisë i ka thënë nënkryetares së këtij komisioni: “Unë të jap ty një vend”. Unë ta kam kërkuar publikisht në parlament. Ta kam kërkuar me shkresë dhe është normale që ti t’i përgjigjeshe asaj kërkese, duke thënë: “Zoti Ruçi, ti ke bërë kërkesë, por oferta jonë është jo tri, por një” dhe jo ta dëgjoj tani. Unë kam shumë respekt për rolin e tij si kryetar i komisionit të Ekonomisë, por kjo çështje është jashtë misionit të tij. Edhe kur t’i kërkojë nënkryetarja informacion, ai t’i thotë: “Zonjë, ne këtu jemi kryetar e nënkryetar dhe do të diskutojmë kandidaturat që do të na vijnë”. Jo të më thuhet këtu në Konferencën e Kryetarëve që kemi një vend. Unë kam një muaj që ua kam bërë këtë kërkesë.
Namik Dokle: Unë të respektoj për atë që the, se opozita nuk ka përse t’ia paraqesë emrat qeverisë, dhe as ajo nuk ka përse të miratojë kandidatura të opozitës, megjithëse edhe kjo ka ndodhur. Për shembull, për KLSH ka ndodhur dy herë. Përfaqësuesi për Kryetar të KLSH-së është propozuar nga maxhoranca. Ka 14 vjet që kryetari i KLSH-së është i djathtë Sa të lehtë e keni. Ne kemi kërkuar tri dhe na duket fare pak ajo që ju thoni se opozita do të marrë vetëm një.
Jozefina Topalli: Është e drejta juaj. Kjo ishte një ofertë që jua ka bërë mazhoranca. Ju e diskutoni vetë se çfarë do të vendosni. Kjo ishte një ofertë, por mos harroni që pas dy vjetësh Kuvendi do të ketë dy vende të tjera. Për momentin ka vetëm tri vende, të cilat janë ndarë për secilën forcë politike; një PD-ja, një PS-ja dhe një LSI-ja. Është një ofertë dhe është e drejta juaj që ta vlerësoni.
Mbledhja pasardhëse e datës 3 nëntor
Gramoz Ruçi: A do të ecim me votimin e zonjës Meksi?
Jozefina Topalli: Kjo pyetje qëndron. E kemi lënë në dorë të zonjës Meksi për ta përfunduar këtë çështje. Në fillim duhet dhënë dorëheqja, pastaj të kalojë në votim, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë” që të kalojë në votim pa u kryer kjo procedurë fillimisht.
Gramoz Ruçi: Zoti Berisha, zoti Çeku dhe zoti Topi kanë bërë të njëjtën gjë, pa dhënë dorëheqjen kanë votuar për veten e tyre.
Jozefina Topalli: Jo, nuk është e vërtetë.
Et’hem Ruka – Po, Zoti Berisha, zoti Çeku dhe zoti Topi kanë votuar për veten e tyre. Ju mos e mohoni. Thoni që, kur u zgjodh president Topi dhe kur u zgjodh Kryetar i KLSH-së Çeku kanë votuar për veten e tyre.
Jozefina Topalli: Topi ka hequr dorë nga anëtarësia e PD-së kur ka votuar.
Gramoz Ruçi: Unë po flas për mandatin e deputetit. Ata kanë qenë deputetë kur kanë votuar për veten e tyre.
Ilir Rusmali: Kjo çështje të kalojë në komision, sepse atje zgjidhet. A ka kaluar kandidatura në komision, nëse ka kaluar jemi dakord ta votojmë. Nuk ka përse të merret Konferenca e Kryetarëve me këtë çështje.
Jozefina Topalli: Zoti Patozi ka bërë marrëveshjen. Ai ka thënë që votat e maxhorancës do të jenë për zonjën Meksi. Ne e mbajmë fjalën. Ne një herë flasim, nuk dalim nga fjala.
Gramoz Ruçi: Pra, arsye personale, juridike dhe kushtetuese nuk ka. Por, unë edhe një herë po jua them, Berisha, Çeku dhe Topi kanë votuar për veten e tyre.
Ilir Rusmali: Kjo që po thoni ju nuk ka lidhje me procedurën. Nëse doni ta votoni zonjën bëjeni, nëse jo, atëherë kjo është krejt tjetër gjë. Pra, mos e zgjasni, nëse doni ta kaloni kandidaturën e zonjës Meksi, bëjeni!
Astrit Patozi: Ne jemi dakord me kandidaturën tuaj dhe presim ta votojmë. Jemi dakord ta kalojmë propozimin në komision, siç kemi kaluar çdo kandidaturë tjetër. Duhet vetëm që të jemi në rregull me procedurën.
Gramoz Ruçi: Bëjeni atëherë. Mblidheni komisionin dhe ta votojmë
Genc Pollo: Pritet që zonja Meksi të dorëzojë sot mandatin, ajo kështu ka thënë.
Et’hem Ruka: Më tepër është çështje mosbesimi, sesa çështje procedurash.
Astrit Patozi: Atëherë ndryshon puna, sepse ka çështje mosbesimi.
Jozefina Topalli: Nëse është çështje mosbesimi, ne këtu jemi në Konferencë Kryetarësh dhe jemi të gjithë dëshmitarë të kësaj që po themi. Nuk ka arsye për të qenë mosbesues.
Gramoz Ruçi: Atëherë, mblidheni komisionin ta kaloni kandidaturën në votim. Por unë di që nuk duhet të japë mandatin, pasi jua përsërita edhe më sipër se si kanë votuar për veten e tyre disa prej krerëve të institucioneve. Unë po e pranoj që është gabim të votosh për veten, nuk jam dakord as për zonjën Meksi që të veprojë kështu, por ju kështu keni vepruar. Gjithsesi mblidheni komisionin dhe votojeni, po patët vullnetin e mirë.
Ilir Rusmali: Jo, ende nuk ka kaluar. Të plotësojë njëherë dokumentacionin procedural që kërkohet dhe të bëhet pastaj kalimi në komision.
Gramoz Ruçi: Mblidheni komisionin që tani.
Genc Pollo: Fillimisht duhet një shkresë pra, një deklaratë, ku zonja Meksi të pranojë propozimin për postin. Kjo është një procedurë që duhet bërë.
Jozefina Topalli: Të bëhet deklarata, sepse jemi dakord.
Gramoz Ruçi: Bëjeni deklaratën dhe kalojeni sot.
Ilir Rusmali: A do të vazhdojë të jetë edhe deputete?
Gramoz Ruçi: Topi dhe Çeku kanë votuar për veten e tyre kur kanë qenë deputetë.
Genc Pollo: Kjo mund të rregullohet. A ka ndonjë mekanizëm për këtë?
Ilir Rusmali: Po, ka. Zonja Meksi duhet të bëjë një deklaratë. ku të shprehet se e pranon propozimin për postin tjetër dhe më pas bën një tjetër shkresë, ku deklaron se ka dhënë dorëheqjen me efekt nga momenti i zgjedhjes. Pra, në këtë mënyrë zgjidhet në post dhe automatikisht bën dorëheqjen në respekt të Kushtetutës dhe ligjit.
Jozefina Topalli: Me këtë jemi shumë në rregull, kështu siç thotë zoti Rusmali.
Jozefina Topalli: Mirëserdhët, zonja Meksi! Sapo diskutuam për ju.
Ermelinda Meksi: Unë kam menduar se, fillimisht duhet të bëj një deklaratë pranimi për postin që më ofrohet dhe më pas të jap dorëheqjen.
Jozefina Topalli: Deklarata do të bëhet tani dhe u vendos që propozimi juaj të bëhet sot.
Edmond Spaho: Po shumë mirë, e mbledhim komisionin këtu në këtë sallë dhe e kalojmë.