Çahet grupi i PS, Fullani guvernator dhe me votat e Blushit e Malajt
Guvernatori aktual do të jetë edhe 7 vjet të tjera në krye të BSh-së, pas votimit të djeshëm në Kuvend, ku pro ishin 75 deputetë, 51 kundër dhe një votë abstenim, që ishte e Eduart Shalsit
Të votosh kundër vendimeve politike në grupin parlamentar socialist nuk është më një gjë e ndaluar. Seanca e djeshme e ka dëshmuar më së miri këtë, ku pothuajse për të gjitha projektligjet apo vendimet e tjera të marra nga Kuvendi nuk ka patur një votë të unifikuar nga grupi socialist. Kështu, ashtu siç edhe ndodhi në rastin e dy kodeve, edhe në votimin e Ardian Fullanit sërish në postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ka patur rrjedhje votash nga të majtët. Në një votim të hapur, Fullani ka marrë 75 vota pro, përfshi dy votat e deputetëve socialistë Ben Blushi dhe Arben Malaj; 51 kundër, si dhe 1 abstenim, që ishte vota e deputetit tjetër socialist Eduard Shalsi. Një votë kjo e tre deputetëve socialistë që ka lënë të habitur drejtuesit e grupit, pasi vendimi i marrë ishte për të votuar kundër. Megjithëse burime nga PS kanë bërë të ditur se tre deputetët e mësipërm kanë njohje personale me Fullanin. Veprimi i tyre bie ndesh me vendimin politik të marrë nga grupi dhe të shprehur që në ditën e dekretimit të tij nga Presidenti i Republikës nga vetë kryesocialisti Edi Rama, i cili në një komunikim të posaçëm për mediat sqaroi se vota e socialistëve do të ishte kundër kandidaturës së tij. “Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli, të ndalet një orë e më parë. E kështu, as presidenti Topi bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend, të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat, edhe për shkak të drejtimit të politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë. Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature”- bëri të qartë kreu socialist Rama ditën e dekretimit të Fullanit nga presidenti Topi. Një qëndrim ky që sot rezulton të mos jetë zbatuar nga të gjithë deputetët e tij, pasi disa prej tyre votuan pro apo abstenuan. Fullani zgjidhet në këtë detyrë për herë të dytë, pasi më parë konsumoi një mandat 7-vjeçar. Kujtojmë se ai u zgjodh për herë të parë në krye të Bankës së Shqipërisë nga socialistët, kur qeverinë e drejtonte Fatos Nano.