E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto ne Kosove Pavaresia e saj nje realitet i pakthyeshem

Zv/Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare “Evropa Juglindore në epokën multipolare”, të mbajtur në Prishtinë.

Në fjalën e tij në këtë konferencë, Haxhinasto e konsideroi Kosovën një shembull të transformimit të rajonit të Ballkanit.

“Shqipëria, - tha ministri Haxhinasto - mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë.

Ndarja modifikimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve janë në kundërshtim të plotë me frymën e integrimit europain dhe i përkasin të kaluarës tragjike dhe të dhimbshme”.

Ai theksoi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm, i njohur sot nga 85 vende të botës, një e katërta e të cilëve janë anëtarë të Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Me këtë rast, Haxhinasto bëri thirrje që ato 5 vende të BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta marrin këtë hap sa më shpejt që të jetë e mundur.

Më tej, ai kërkoi që Serbia të njohë realitetin e ri në kufijtë e saj: Kosovën e pavarur dhe multietnike brenda kufijve aktualë.

Gjithashtu, ai theksoi se dialogu Kosovë- Serbi i ndërmjetësuar nga BE, nuk është certifikatë për Serbinë për të marrë statusin e vendit kandidat, por një detyrim që duhet të përmbushet.

Duke përshëndetur nisjen e procesit të liberalizimit të vizave si fillimin e bashkëpunimit të thellë të Kosovës me BE-në, ministri Haxhinasto tha se tashmë Kosova ka një agjendë të qartë integrimi, është një realitet europian dhe se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian.

Në këtë konferencë ishin të ftuar mbi 100 personalitete nga vende të ndryshme të botës, mes të cilëve ministrat e jashtëm nga vendet e rajonit, ish-ministra të jashtëm, studiues për çështjet e Ballkanit, përfaqësues të BERD, gazetarë etj.

Konferenca u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punët e Jashtme, me përkrahjen e Këshillit Britanik dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›