Pakti, PS dhe të vegjlit: Në Kushtetuese
Në rastin e marrëveshjeve mes palëve, Kushtetuta parashikon ngrirjen e procedurave miratuese deri në dhënien e vendimit përfundimtar
TIRANË- Marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare detare mes Shqipërisë dhe Greqisë përfundon në Gjykatën Kushtetuese.
Shtatë parti opozitare dhe ajo pjesë e LSI-së që nuk u pajtua me lëvizjen e kësaj force drejt së djathtës, do të depozitojnë sot kërkesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese për ta shpallur këtë marrëveshje në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit dhe më konkretisht nenet 1, 2 dhe 3 të tij, ku dhe përcaktohen sovranitetit dhe integriteti territorial i vendit.
Kërkesë-padia është firmosur dje prej krerëve të pesë partive, kreu i PS-së Edi Rama, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDK-së Nard Ndoka, ai i PLiDr-së Spartak Ngjela, drejtuesi i G99 Erion Veliaj dhe sot para se ajo të dorëzohet pritet të marrë edhe firmat e kryetarit të PDS-së Paskal Milo dhe atij të LZHK-së Dashamir Shehi, të cilët dje ku edhe u ra dakord për një gjë të tillë nuk ndodheshin në Tiranë.
Takimi
Në kuadrin e një jave, kreu socialistë Edi Rama ka mbledhur për të dytën herë në një takim të mbajtur në një prej lokaleve të Tiranës, aleatët e tij natyral dhe ata të betejës opozitare.
Në këtë takim qenë të ftuar dhe morën pjesë, krerët e PSD-së, G99-s, PLD-së, PDK-së dhe ish drejtuesi i LSI-së Ndre Legisi, ndërsa kryetarët e PDS-së dhe LZHK-së për shkak të angazhimeve të tyre nuk mundën të merrnin pjesë.
Ndërkohë mësohet se aleati tjetër i PS-së, Vangjel Dule, nuk ka qenë qëllimisht i ftuar të marrë pjesë në këtë takim, për të mos e vënë në vështirësi për shkak të konfliktit të interesit, që ka në këtë rast, pasi siç dihet ai është përfaqësues i minoritetit grek në vendin tonë.
Takimi ka zgjatur fare pak dhe siç konfirmohet nga burime nga kjo tryezë, të gjithë të pranishmit në të janë shprehur kundra thelbit të një marrëveshje të tillë dhe kanë mbështetur pa rezerva nismën e Partisë Socialiste për ta goditur atë në mënyrë institucionale në organin më të lartë vendimmarrës, siç është Gjykata Kushtetuese.
Për të konkretizuar këtë nismë, të gjithë të pranishmit në këtë takim kanë firmosur akt-padinë e përgatitur nga juristët e PS-së dhe sot ajo, pasi të merren edhe firmat e Milos dhe Shehit do të depozitohet në gjykatë.
Kërkesa nuk është bërë publike për mediat, por megjithatë konfirmohet se në thelb të saj është konstatimi se marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare" cenon tërësinë territoriale-ujore të vendit tonë në favor të vendit fqinjë.
Sipas kërkesë-padisë së opozitës marrëveshja e miratuar nga qeveria dhe e propozuar për ratifikim në Kuvend ka prekur në këtë mënyrë parimet themelore të Kushtetutës dhe më saktë nenet 1, 2 dhe 3 të saj, ku mes të tjerave përcaktohet se "Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm", "Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit" dhe se "Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t'i respektojë dhe t'i mbrojë".
"U ra dakord që të nënshkruajmë atë hap që ne i ftuam të ndërmerrnim së bashku, për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje krejtësisht të pavend dhe krejtësisht të padenjë, e cila pa asnjë dyshim duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim", - tha kreu socialistë pas këtij takimi.
Ndërkohë lidhur me këtë marrëveshje partitë opozitare kanë parashikuar edhe dy protesta përpara Ministrisë së Jashtme dhe Kuvendit të Shqipërisë që pritet të mbahen të enjten e ardhshme.
Procedura
Depozitimi në Gjykatën Kushtetuese i ankimimit nga partitë opozitare i marrëveshjes në fjalë, do të sjellë në mënyrë të menjëhershme dhe pezullimin e procedurave të mëtejshme ratifikuese nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
Kështu, Kushtetuta e Shqipërisë në kapitullin që flet për Gjykatën Kushtetuese, në nenin 131 pika b) përcakton qartë se gjykata "vendos për pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre".
Një përcaktim ky që bënë të detyrueshëm për institucionin ligjvënës, Kuvendin, që të ngrijë çdo hap në drejtim të diskutimit apo ratifikimit të kësaj marrëveshje.
Kushtetuta dhe praktika që ndjek gjykata përcakton se në një rast të tillë, me paraqitjen e akt-padisë nga një subjekt të caktuar, ky institucion vë në dijeni të gjitha subjektet e tjera të interesuara, në rastin konkret Kuvendin dhe Qeverinë, të cilat janë të detyruara, jo prej gjykatës, por prej ligjit bazë të shtetit të ngrijnë procedurat e mëtejshme.
Ajo që përcakton Kushtetuta në rastin e marrëveshjeve mes palëve është se ngrirja e procedurave miratuese bëhet deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Edi Rama:
"U ra dakord që të nënshkruajmë atë hap që ne i ftuam të ndërmerrnim së bashku, për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje krejtësisht të pavend dhe krejtësisht të padenjë, e cila pa asnjë dyshim duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim, ku ata që e përfaqësojnë vendin tonë, duhet ta përfaqësojnë denjësisht, si të barabartë mes të barabartëve"
Spartak Ngjela:
"Kontestojmë marrëveshjen për ujërat, ku dy janë arsyet: cenimi i territorit, që është shkelje e rëndë kushtetuese dhe e dyta, bëhet me vullnet të plotë, pa ditur se çfarë po ndodh. Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë me urgjencë, duke i vënë Parlamentit në dijeni faktin, se edhe sikur të gjithë deputetët të jenë dakord unanimisht, ndëshkohen penalisht në rast se kjo provohet".
Erion Veliaj:
"Tashmë kemi nënshkruar të gjitha partitë një deklaratë me të cilën i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që të shprehet për pakushtetueshmërinë dhe shkeljen e ligjit, që kjo marrëveshje e shitjes së ujërave detarë shqiptarë, Greqisë konsiston. Nesër do depozitojmë këtë deklaratë me firmat e të gjithë kryetarëve të partive.
Ajo që duam t'i kujtojmë Ilir Metës dhe Sali Berishës është se duke shtyrë ratifikimin e marrëveshjes, praktikisht po na thonë ne që janë duke e shtyrë tradhtinë e Shqipërisë për në një kohë më të vonë".
Kushtetuta
Pjesa e parë Parime Themelore
Neni 1
1. Shqipëria është republikë parlamentare.
2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.
3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike.
Neni 2
1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.
3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtarë, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 3
Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t'i respektojë dhe t'i mbrojë.
Kuvendi mohon shtyrjen e marrëveshjes. Por, konferenca e ka zhdukur edhe nga komisionet
Pakti për Greqinë, tërhiqet Kuvendi
TIRANË- Mazhoranca "tërhiqet" nga marrëveshja për përcaktimin e kufirit ujor-detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Nuk dihet nëse ka një vendimmarrje politike prej drejtuesve të shumicës qeverisëse për këtë çështje, por është fakt tashmë se marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare" nuk do të miratohet në seancën e ardhshme plenare, sikurse edhe ishte parashikuar në kalendarin tre javor (22 shtator-19 tetor), të miratuar prej Konferencës së kryetarëve gati 20 ditë më parë.
Është sërish Konferenca e Kryetarëve ajo që ka ndryshuar kalendarin e punimeve në seancë plenare, duke hequr nga rendi i ditës së seancave të mbetura për këtë tre javor ratifikimin e kësaj marrëveshje të paraqitur në formën e një projektligji.
Kështu, në kalendarin e miratuar gjatë muajit shtator ishte përcaktuar se në seancën e së hënës së 19 tetorit do të diskutohej për 8 pika të ndryshme, ndërmjet të cilave edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare. Ndërsa në kalendarin e ri të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit për këtë tre javor nuk gjendet i programuar për tu miratuar në seancë një projektligj i tillë.
Nga burime pranë këtij institucioni mësohet se një ndryshim i tillë në kalendar është bërë për shkak të mënyrës së re të organizimit të punës së Kuvendit në seancë plenare, duke mos pranuar faktin marrëveshja në fjalë është shtyrë.
Sipas tyre, për shkak të ndryshimit të mënyrës së funksionimit të Kuvendit, (që seancat do të mbahen vetëm ditën e enjte, dhe jo më ditën e hënë ) kjo marrëveshje nuk i bie të miratohet brenda këtij tre javori, që jemi aktualisht (22 shtator-19 tetor).
Por pavarësisht argumentimit, që i bëhet këtij ndryshimi, tashmë është fakt se ky ndryshim në kalendarin e punimeve të Kuvendit ka ardhur pas presionit në rritje që ka bërë media dhe një pjesë e shoqërisë civile kundrejt kësaj marrëveshje, të cilën e kanë konsideruar antikushtetuese, pasi prek integritetin territorial të vendit tonë. Marrëveshja e kufijve detar me Greqinë është hequr edhe nga kalendari i punimeve të komisioneve.
Në pjesën e kalendarit që flet për veprimtarinë e komisioneve nuk është përfshirë diskutimi i saj, ndërsa mësohet se ajo ishte parashikuar që gjatë të hënës së shkuar të diskutohej në Komisionin e Jashtëm, ç'ka nuk ndodhi.
Përveç komisionit të Jashtë marrëveshja është hequr nga rendi i punimeve edhe të komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, si komisioni përgjegjës për shqyrtimin e përmbajtjes së saj. Marrëveshja për përcaktimin e kufijve detar midis Shqipërisë dhe Greqisë është denoncuar nga media dhe specialistë të fushës si antishqiptare, pasi nga për llogaritjet e bëra rezulton se vendi ynë humbet një sipërfaqe detare prej 354 km2.