E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Basha e Mediu të gjykohen deri në fund

Kryetari i opozitës e cilësoi raportin e KE-së si një pasqyrë realiste e krizës së rëndë të demokracisë në vend

TIRANË - Projekt-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë është cilësuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, si tepër realist. "Me një fjalë të vetme do ta quaja këtë raport një pasqyrë realiste të krizës së rëndë të demokracisë në Shqipërinë e sotme.


Ne ndajmë të njëjtin vlerësim me Komisionin Evropian se në thelbin e tyre zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 nuk përmbushën standardet normale të një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në BE.


Gjejmë këtu rastin të ritheksojmë me vendosmëri se vetëm hetimi parlamentar, i pavarur nga qeveria, i këtyre zgjedhjeve pa standarde, duke filluar nga hapja e kutive të 28 qershorit si një kusht i panegociueshëm për cilësinë e këtij hetimi, mund të zhbllokojë dialogun politik dhe t'i hapë rrugë adresimit të sfidave të rëndësishme, që ka vendi përmes reformash që, sot për sot, nuk kanë asnjë shans të kryhen, pikërisht, sepse Parlamenti i sotëm nuk ka asnjë legjitimitet për t'i ndërmarrë, pa u çliruar më parë, nga barra e krimit elektoral, që ka lindur vetë këtë Parlament dhe qeverinë e dalë prej tij",- tha dje Rama përmes një konference për shtyp.


Lideri i opozitës shtoi se PS-ja bashkohet me konstatimet e Raportit të Komisionit Evropian në lidhje uzurpimin e institucioneve të drejtësisë nga ana e ekzekutivit, keqadministrimin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhunimin e lirisë së medias, si dhe shkatërrimin e kapaciteteve administrative përmes emërimeve politike.


"Korrupsioni, sipas vetë Komisionit Evropian, vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz, sepse në fakt, sot ka një pushtet familje në pushtet, që është ngjitur mbi ligjin dhe shërbëtorët e saj gëzojnë imunitet për vepra shumë të rënda korruptive, falë presionit mafioz të Pushtetit të Familjes mbi drejtësinë e mbi njerëzit e drejtësisë",- tha Rama.


Në këtë kontekst, lideri i opozitës shtoi se, "kur miqtë e partnerët evropianë detyrohen të përmendin, në raportin më të rëndësishëm për Shqipërinë, emrin konkret të një ministri të riveshur me imunitet e të ricikluar në qeverinë e vendit, fill pas riciklimit të Pushtetit të Familjes përmes grabitjes së zgjedhjeve, në emër të opozitës shqiptare rikërkoj dorëzimin para drejtësisë të Fatmir Mediut e Lulzim Bashës.


Dy oborrtarët e pushtetit të familjes, të cilët nga ana e tyre fshehin sekretin e implikimit të drejtpërdrejtë të Familjes në Pushtet, qoftë në krimin shtetëror të Gërdecit, qoftë në krimin ekonomik të zhvatjes së fondeve të rrugës Durrës-Kukës, duhet të gjykohen deri në fund".


Për pasojë, Rama theksoi se organet e drejtësisë duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe integritet profesional për të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore, që mundësojnë gjykimin e të gjithë atyre që Raporti i Komisionit Evropian i quan shprehimisht personat përgjegjës të krimit shtetëror të Gërdecit, pavarësisht statusit apo pozicionit të tyre shoqëror.


"Mosgjykimi deri në fund i tyre përbën edhe njërën prej zonave më të errëta të pasqyrës së këtij raporti shumë realist për Shqipërinë, ashtu sikundër mosgjykimi deri në fund i grabitjes marramendëse të fondeve të rrugës Durrës-Kukës lë hapur një tunel të errët korrupsioni, ku sot e gjithë ditën treten fondet e punëve publike të qeverisë së Gërdecit", - tha Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›