Pakti detar, Moisiu: Kushtetuesja tregoi pavaresine
TIRANE- Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, në një prononcim të djeshëm për mediat përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e deklaroi si të papajtueshme me ligjin themeltar të shtetit marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Sipas tij, “për të disatën herë ky institucion tregoi pavarësinë e tij, në këtë rast, duke mos rënë pre e shpërfilljes së interesave kombëtare nga grupi që hartoi draftin. Sigurisht kjo është normale, që kur një gjë nuk bëhet ashtu siç duhet të rishikohet, të negociohet dhe të bëhet ashtu siç duhet, në përputhje me interesat e Shqipërisë dhe të fqinjit tonë Greqisë”. Ish-kreu i shtetit në prononcimin e tij vuri në dukje faktin se shqiptari nuk e toleron marrjen e tokës, ndaj dhe sipas tij, shqiptarët nuk mund të toleronin që qeveria t’i dhuronte detin kaq lehtë Greqisë. “Nuk duhet të harrojmë që sot në Shqipëri, për një pëllëmbë tokë vret vëllai-vëllain, vret djali babain ose anasjelltas. Pra kjo tregon se shqiptarit i intereson toka edhe në konceptin e madh të shtetit. Ndaj, çdo qeveri nuk mund të lëshojë tokën dhe detin kaq lehtë. Më ka rënë në sy papërgjegjshmëria e atyre që u caktuan të merreshin me këtë punë”, - u shpreh ish-presidenti i Republikës. Më herët, në një prononcim të tij për mediat lidhur me këtë çështje, Moisiu kritikoi dhe bëri përgjegjës autoritetet dhe negociatorët e palës shqiptare se kishin trajtuar në mënyrë jokompetente këtë çështje delikate gjatë hartimit të marrëveshjes me palën greke. Ai vlerësoi rolin e medias si një faktor pozitiv që realizoi transparencën e marrëveshjes. (s.g/BalkanWeb)