E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti i ujrave me Greqine, Droutsas takon sot Meten

TIRANE- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që e deklaroi të papajtueshme me ligjin themeltar të shtetit marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar do të jetë sot temë diskutimi mes ministrit alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Takimi do të zhvillohet në Londër ku dy ministrat janë të ftuar të marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Afganistanin. Gjykata Kushtetuese rrëzoi të martën në mbrëmje me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Gjykata deklaroi si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas Kushtetuese në marrëveshje ka shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982. Në një intervistë të dhënë pasditen e djeshme për radion greke “Thema 9.89”, ministri alternativ i Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas komentoi vendimin si një zhvillim negativ për të cilin ne nuk jemi të kënaqur. Por, dua të nënvizoj se kjo është një çështje e brendshme e procesit gjyqësor në Shqipëri, të cilin ne nuk mundem të bëjmë tjetër veçse ta respektojmë”. Sipas tij, Athina zyrtare ndodhet për momentin “në pritje të një njoftimi zyrtar nga ana e Shqipërisë, dhe sigurisht propozimin e qeverisë shqiptare për mënyrën sesi do ta zgjidhë këtë çështje në vazhdim”. Qartësisht, Droutsas la të kuptohej se Greqia nuk e priste këtë vendim. Pasi, sikundër sqaroi, autoritetet shtetërore shqiptare kishin dhënë, sipas tij, garanci të plotë për miratimin e paktit detar. “Më lejoni të nënvizoj, qëkurse e përmendni këtë çështje, që në vizitën time të fundit në Tiranë, të gjithë interlokutorët nga pala shqiptare më konfirmuan, duke më dhënë të gjitha garancitë, rëndësinë dhe prioritetin që Shqipëria i jep në mënyrë precize kësaj marrëveshjeje”, - u shpreh ai. Ndaj, dhe për këtë arsye, ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë sqaroi se do të zhvillonte një takim urgjent me shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, takim i cili do të zhvillohet sot në Londër. (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›