ACR, letër minatorëve për tu kthyer në punë
Kompania ACR u ka dërguar sërish një letër minatorëve të Bulqizës, me anë të së cilës u kërkon rikthimin në punë. Në letër, presidentja e kompanisë, Depisch, njofton minatorët se është e gatshme të plotësojë kërkesat e tyre.
Por në letrën e presidentes së ACR nuk përfshihen dy kërkesa të minatorëve: pagesa për ditët e grevës dhe largimi i drejtorit të minierës, çka bën që situata të mbetet sërish pa zgjidhje.
Ndërkohë, greva e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e nëntë, ndërsa vijon edhe sot protesta e familjarëve dhe kolegëve të minatorëve-grevistë.
Po sot, një nga minatorët është detyruar të lërë grevën për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Sali Alliu është dërguar në spitalin e Burrelit për të marrë ndihmën mjekësore. Gjithashtu, edhe gjendja shëndetësore e grevistëve të tjerë paraqitet e rënduar, por ata shprehen se do ta vazhdojnë grevën deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.
