Pakti i PS, Tahiri: Berisha t’i përgjigjet thirrjes për dialog
Partia Socialiste kërkon një qëndrim zyrtar nga ana e kryeministrit për paktin e propozuar. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri tha se Berisha nuk mund të injorojë propozimet e opozitës.
TIRANË Prej ditësh, kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar aktivitete të ndryshme për t’i dhënë përgjigje opozitës lidhur me 10 pikat, që kryetari i PS-së, Edi Rama propozoi pak ditë më parë. Por, mesa duket, Partia Socialiste kërkon një qëndrim zyrtar nga ana e Kryeministrit për paktin e propozuar. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri ka deklaruar dje se Berisha nuk mund të injorojë propozimet e opozitës, të cilat kanë marrë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. "Kryeministri nuk mund të jetë peng i zullumqarëve të tij, duke mbajtur njëkohësisht peng dhe qytetarët dhe integrimin e vendit. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Ndaj kemi bërë një propozim, i cili ka gjetur mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, kam këtu parasysh dhe ambasadorin amerikan dhe përfaqësuesin e OSBE-së. Është mirë që kryeministri t’i përgjigjet thirrjes për dialog nëpërmjet këtyre 10 pikave, të cilat nuk ndajnë pushtet po ndërtojnë shtet", - tha dje Tahiri. Në këto kushte, Tahiri e ka të lehtë t’i përgjigjet interesimit të medias edhe kur bëhet fjalë për rolin e përgjegjësisë që ka opozita lidhur me qëndrimin negativ që Brukseli do të mbajë këtë fillim muaji për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. “Janë ata që qeverisin dhe jemi ne që jemi të detyruar, populli na ka votuar që t’u kthejmë pasqyrën që të shohin veten e të bëjmë opozitë, dhe nga ana tjetër të ofrojmë alternativën tonë qeverisëse. Ne jemi duke i bërë këto të dyja. Nga njëra anë, duke i treguar qeverisë se çfarë po bën, dhe nga ana tjetër, duke ndërtuar alternativën tonë qeverisëse. Në këtë pikëpamje ishte dhe propozimi ynë prej 10 pikash për integrimin e vendit në BE. Përgjegjësitë kryesore patjetër qëndrojnë te mazhoranca, e cila ka të gjithë mekanizmat për ta çuar vendin para, apo për ta mbajtur vendin peng, apo për ta çuar akoma më keq pas, siç fatkeqësisht po bën kryeministri Berisha", - tha ai. Përmes paktit prej 10 pikash, kryetari i opozitës, Edi Rama ka kërkuar votimin në mënyrë konsensuale të ndryshimit të rregullores, miratimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, propozimin që tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të jenë të opozitës, votimin me konsensus të emrit të ri të guvernatorit, kryetarit të KLSH-së, e deri tek hartimi i një letre nga të gjithë deputetët drejtuar Prokurores së Përgjithshme për zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit, si dhe thirrjen nga ky organ të gjithë personave që kanë rezultuar të përzier në kabllogramet e Wikiliksit.