E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Nuk ndryshohet sistemi sa herë ka zgjedhje

Gjana për sistemin zgjedhor: “Kur bëhen ndryshime të thella në sisteme zgjedhore, nuk bëhen për mandatin ose për zgjedhjet e radhës”

TIRANË Ndryshe nga socialistët që këmbëngulin jo pak në ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, demokratët shprehen paraprakisht se një lëvizje e tillë nuk mund të ndërmerret. Si ekspert i zgjedhjeve të mëparshme, deputeti demokrat, Jemin Gjana ka deklaruar dje se nuk mund të ndërrohen sistemet sa herë që në Shqipëri mbahen zgjedhje të përgjithshme. "Nuk ndryshohen sistemet sa herë që ka zgjedhje. Përveçse që ka një praktikë botërore, e cila në Shqipëri në fakt nuk është respektuar. Kur bëhen ndryshime të thella në sisteme zgjedhore, nuk bëhen për mandatin ose për zgjedhjet e radhës. Bëhen për një palë zgjedhje më tutje, me qëllim që aktorëve as mos t’u jepet mundësia që të ndikojnë në zgjedhjet e radhës në favor të një pale ose një pale tjetër, por edhe për t’u dhënë mundësi aktorëve që të përgatiten për një palë zgjedhje që janë për një mandat tjetër më shumë. Nuk besoj se Shqipëria ka luksin që sa herë të ketë zgjedhje të përgjithshme të ndryshojë Kodin Elektoral", - tha Gjana. Deputeti demokrat shtoi se debati për reformën zgjedhore në mënyrën se si ka nisur, po politizohet dhe po i largohet diskutimit teknik, që në të vërtetë nevojitet. Deri më tash, përveç gatishmërisë së shpallur nga dy partitë kryesore për fillimin e një reforme zgjedhore, asgjë konkrete nuk është arritur mes negociatorëve të dy forcave politike. Deri më tani, bisedimet kanë mbetur për çështje modalitetesh, ndërkohë që për ndryshime konkrete do të nevojitet edhe ekspertiza e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›