Kushtetuesja pezullon paktin e ujrave, Athina: Vendimi, zhvillim negativ
TIRANE- Qeveria greke ka reaguar e pakënaqur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri e cila rrëzoi marrëveshjen kufitare me Greqinë të firmosur mes dy vendeve më 25 prill 2009. Zv/ministri i jashtëm grek Dimitris Droutsas ka deklaruar për një radio greke, që nga Londra ku ndodhet për vizitë, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare është një zhvillim negativ. “Sigurisht është një hap negativ dhe nuk jemi të kënaqur, por dua të theksoj se kjo është cështje e procesit juridik të brendshëm në Shqipëri të cilin ne do ta respektojmë pasi nuk kemi zgjidhje tejetër” theksoi Droutsas ndërsa ka shtuar se qeveria e Athinës pret shpjegime nga pala shqiptare dhe madje edhe propozime se si do të veprohet më tej me cështjen e kufirit detar. Gjithsesi Droutsas tha se këtë cështje do ta diskutojë më tej në Londër gjatë takimit me Ministrin Meta. dy zyrtarët ndodhen në Londër në kuadrin e konferencës që zhvillohet për Afganistanin. Ora: 7:03-Gjykata Kushtetuese: Pezulluam paktin me Greqine, shkel ligjet Gjykata Kushtetuese rrëzoi me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Vendimi i marrë mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:30, është konfirmuar zyrtarisht qe dje ne mbremje për “Gazeta Shqiptare”. Sot ne nje njoftim zyrtar Gjykata Kushtetuese theksoi se, "Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njoftoi sot paradite më 27 Janar se në mbledhjen e saj të dt.26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Kushtetuesja sqaron me tej pikat ku anetaret e Gjykates dyshojne se shkelen ligjet nga Pakti detar. "Gjykata Kushtetuese theksoi se në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982", citohet sot nga Kushtetuesja. Nëntë anëtarët e Kushtetueses kanë pranuar kësisoj kërkesën prej 13 faqesh që Partia Socialiste depozitoi në datën 20 tetor 2009 pranë këtij institucioni, me objekt shqyrtimin e pajtueshmërisë me ligjin themeltar të shtetit të paktit detar shqiptaro-grek. (d.b/BalkanWeb)